Është zyrtarizuar kandidati i opozitës për bashkinë e Himarës, Petro Gjikuria.
Një ditë pas lajmit të kandidimit të tij nga radhët e PBDNJ, Gjikuria ka reaguar sot me një postim në rrjetet sociale.
Ndër të tjera, ai shprehet se ka lindur në Dhërmi dhe se vjen nga një familje që ka luftuar për dy gjëra të shenjta: për vendin dhe për demokracinë.
“Kam punuar fort në Greqi dhe në SHBA dhe kam mësuar shumë duke punuar në fushën e kulinarisë dhe hotelerisë, por edhe në organizata të ndryshme të diasporës dhe të gjitha këto dije dhe eksperienca dëshiroj t’i vendos në funksion të vendit tim, duke punuar së bashku me bashkëqytetarët e mi për mirëqenien dhe zhvillimin e Himarës në të gjitha fushat”, thotë ai.
Reagimi i Petro Gjikurias:
Bashkia Himarë nuk ka më kohë për të humbur. Prej vitesh, vendi ynë Himara, Lukova dhe Vranishti kanë mbetur pas ndërsa bota përparon. Një vend i bekuar, me bukuri natyrore mahnitëse, me njerëz të aftë dhe punëtorë që kanë shkëlqyer kudo në botë, sot nuk është i denjë as për mundësitë, as për paraardhësit tanë, as për qytetarët e vet, dhe aq më tepër për fëmijët tanë.
Prej 12 vitesh Bashkia nuk pati forcën të planifikojë dhe materializojë ato çka nevojiten. Një kryetar bashkie partiak, zbatues i urdhrave të qeverisë, shpërdoroi shumë kohë për të bërë shumë pak.
Kur qytetarët e Himarës vendosën të ndryshonin kryetarin e bashkisë, nuk u lejuan. Ish kryetari humbës i zgjedhjeve vazhdoi të qëndrojë në drejtimin e Bashkisë dhe Kryebashkiaku fitues, Fredi Beleri, e pa veten pas hekurave të burgut me akuza të fabrikuara. Gjatë gjithë kësaj kohe Himara mbeti pa kryetar bashkie.
Duke parë të gjitha këto dhe pasi mësova për shpalljen e zgjedhjeve vendore në datën 4 gusht, mora vendimin të bëj një hap përpara për vendin, të shpall kandidaturën time për Kryetar të Bashkisë Himarë dhe të kërkoj nga partitë politike, nga shoqatat e ndryshme dhe nga çdo bashkëqytetar të mbështesë këtë kandidaturë dhe të ecim së bashku përpara për të nesërmen e Himarës.
Kam lindur në Dhërmi dhe vij nga një familje që ka luftuar për dy gjëra të shenjta: për Vendin dhe për Demokracinë. Kam punuar fort në Greqi dhe në SHBA dhe kam mësuar shumë duke punuar në fushën e kulinarisë dhe hotelerisë, por edhe në organizata të ndryshme të diasporës dhe të gjitha këto dije dhe eksperienca dëshiroj t’i vendos në funksion të vendit tim, duke punuar së bashku me bashkëqytetarët e mi për mirëqenien dhe zhvillimin e Himarës në të gjitha fushat.
Në datën 4 gusht nuk votojmë për të zgjedhur Kryeministër, votojmë për Kryetar Bashkie! Votojmë për të nesërmen e Himarës!
E nesërmja në Bashkinë Himarë nuk do të ketë përjashtime, nuk do të ketë fëmijë të nënës dhe njerkës, banorë të përhershëm dhe të përkohshëm, socialistë dhe demokratë, tanët dhe të atyre.
Nuk do të ketë korrupsion, nuk do të ketë pasiguri për pasurinë e çdo qytetari, nuk do të ketë Kryebashkiak të emëruar që zbaton verbërisht urdhrat e të gjithë atyre që duan të uzurpojnë pronat tona, ngado qofshin ata.
Jemi të gjithë banorë të Himarës dhe nuk duhet të lejojmë askënd të na përçajë, sado lart qoftë ai. Mbi të gjitha dhe para së gjithash është interesi i zonës!
E nesërmja për Bashkinë Himarë ka program, atë që vendosën qytetarët me shumicë votash në maj të vitit të kaluar.
E nesërmja ka punë, ka zgjidhje, ka investime, ka Evropë, ka Demokraci, të cilën para së gjithash e garanton kryetari i Bashkisë. Ka Kryebashkiak që do të ketë porta të hapura në Tiranë, në Bruksel, në Athinë, por edhe në Uashington, për të kërkuar më të mirën për të nesërmen e Himarës.
Me këto fjalë kërkoj mbështetjen dhe votën tuaj!
Petro Gjikuria
Kandidat për Kryetar i Bashkisë Himarë