MENU
klinika

Nga Ylli Pata

Gjuha politike e molotovit, kujt i drejtohen bombat e 11 korrikut?!

13.07.2024 - 21:51

Kanë kaluar shumë vite nga 21 janari 2011. Plot 13 vjet. Përpos tragjedisë së tmerrshme të 4 të vrarëve e një numri të madh, ende të padokumentuar saktë të të plagosurve me armë zjarri, ajo ditë kishte edhe një tragjikomedi që u kthye edhe në një barcaletë në panelet e darkës.

Barcaleta e palmës: pemës që u dogj jashtë murit rrethues të kryeministrisë, ku një deputete e atëhershme e PD-së, kërcënoi live Saimir Tahirin se do ta varte te palma e djegur, ku i kishte mbetur vetëm trungu. Nejse, atëherë funksiononte rregullorja e gardhit dhe ajo e bulevardit.

Dy vjet nga 21 janari, kur rrethimi në kryeministri nuk ekziston më, pasi u hoq si vendim i parë i Edi Ramës-kryeministër, janë kryer pa fund protesta që kanë sulmuar dyert e selisë së qeverisë me mjete të ndryshme.

E fundit ishte të premten, kur u përdorën bombat Molotov, që hapën një mesazh zjarri, të shpërndarë në eter e në rrjete sociale.

Molotovi, është një armë reale lufte. Që përdoret kryesisht nga grupe guerilje urbane, kryesisht organizata ekstremiste që gjuhën e tyre të veprimit e kanë të dhunshëm. Ndodh, si në territore të pushtuara, ku njerëzit që kundërshtojnë regjimin në fuqi, luftojnë me forcat e policisë që zvogëlojnë përditë liritë e tyre, ku këto forca kërkojnë që nëpërmjet forcës të ulen në tryezë me kundërshtarët. Por ndodh edhe në mjaft vende të Europës Perëndimore, ku grupime radikale, duke përdorur këtë forcë, kanë ndikuar dhe ndikojnë për të rritur aksionet e tyre politike, pasi nuk arrijnë dot të hyjnë në shoqëri në mënyrë normale.

Albin Kurti në Kosovë, është një shembull i një imponimi politik, për të hyrë në shoqëri me zori, duke goditur vazhdimisht. Qoftë edhe me aksione guerile. Por Kurti, edhe pse ka qenë mjaft i dhunshëm në lëvizjet e tij, asnjëherë nuk ka përdorur bombat Molotov, maksimumi ka shkuar deri tek bombat tymyese, të cilat në parlamentin tonë janë si karramele.

“Bomba Molotov – e quajtur edhe shishe ndezëse, shishe apo koktej Molotov (në rusisht Коктейль Молотова), është një pajisje ndezëse me rreze të shkurtër, e lëshuar me dorë.

Ajo u përdor si një armë dore për luftime kundër tankeve nga Ushtria e Kuqeveçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore), dhe si një armë e improvizuar për aksione guerile ose përplasje urbane nga aktorë të ndryshëm jopolitikë”. Ky është shpjegimi që shkruhet rëndom në faqet shumëgjuhëse të Wikipedia-s për këtë armë, e cila natyrisht që ka prapa një gjuhë të artë politike.

E cila hidhet në fund të protestave, e bëhet lajmi i tyre. Janë dy mesazhe të qartë që përcjell molotovi si mesazh. i pari dhe më i rëndësishmi është se nuk përbën një sinjal force, përkundrazi tregon qartazi impotencën politike.

Një bulevard i tejmbushur me njerëz që nuk flasin fare, por i tregojnë publikut se çfarë përfaqësojnë dhe si veprojnë. Tubimi e protesta janë një dialog jo me qeverinë por me publikun, për tu dëshmuar atij se kush janë këta njerëz të shqetësuar që dalin në rrugë dhe propozojnë një mënyrë të re politike.

Por në mungesë të numrave përdoret forca, si mundësi për të tu bërë të ditur publikut që janë ata alternativa, ndryshe do të vijojnë të tregojnë gjuhën e tyre të forcës. Të cilën e shfaqin edhe në rrjete sociale, komentet në media që janë të hapura për komentet, (Në Shqipëri është vetëm gazeta TemA) apo te Bashkimi në mëngjes.

Por për njerëzit, zjarri i molotovëve shërben si një kujtes për të menduar se çfarë ka ndodhur këtu, ku në 1998, s’kishte molotovë, por antitankë, granata ofensive e kallashnikov ndaj selisë së kryeministrisë. E për shumicën në vend, pikërisht se dhuna është forma mbizotëruese e gjuhës politike të partisë së Sali Berishës, ai nuk e voton.

Pikërisht për këtë, bombat molotov nuk i drejtoheshin as Edi Ramës e qeverisë, me të cilin Berisha tashmë ka një sezon të rregullt dialogu të hapur edhe marrëveshjes, e as publikut që s’e voton. Ata i drejtohen në radhë të parë vetë demokratëve. Pasi Berisha e ka humbur totalisht luftën me amerikanët, e frika më e madhe e tij është ngjizja e një force politike antiberisha, e cila tani po merr edhe formë në aspektin konkret. Enkelejd Alibeaj, Roland Bejko etj, të cilët theksojnë se janë ndarë nga Basha, e po formojnë një parti politike antiberishjane brenda PD. Kësaj i frikësohet doktori, pasi nisja e këtij aksioni, e kthen formacionin e tij dalëngadalë si partia e Ilir Metës. Kjo është frika reale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN