Prej javësh tashmë vendi ynë po përballet me të nxehtin afrikan duke shënuar temperatura mbi 41 gardë celsius duke sjellë nga pas edhe një ajër të mbushur me lagështi dhe rërë sahariane, aspak normale për klimën e vendi tonë. Meteorologia e RTSH Rezarta Xhakollari u shpreh se vendi do të ketë disa ditë “frymëmarrje” duke nisur nga sot (24 korrik) deri të premten, por fundjava do të sjellë sërish një valë të të nxehtit me temperatura mbi 40 gardë.
Në një intervistë për RTSH24, Xhakollari tha se e veçanta e kësaj vale të nxehti afrikan është periudha e tejzgjatur dhe se ajri kanë në përbërjen e vet shumë lagështi dhe grimca rëre që shkaktojnë problematika në shëndetin e njeriut.
“Ky i nxehtë ekstrem ka qenë më i fuqishëm se herët e tjera dhe kemi përjetuar temperatura mbi 41 gradë dhe e veçanta është se është i tejzgjatur dhe është i ngarkuar në ajër me lagështi dhe rërën sahariane dhe kjo e bën të papërballueshme për vendin tonë se nuk jemi mësuar me këtë klimë. Edhe pse jemi në korrik këto janë temperatura mbi mesataren e muajit dhe është një anomali e theksuar dhe këto valët e nxehta do i kemi më të shpeshta. Nga sot deri të premten do kemi një frymëmarrje me temperatura pak më në normalitet dhe do kemi sot pasdite reshje shiu. Nesër do ndihet më tepër rënia e temperaturave, por kjo është vetëm çështje ditësh dhe një tentativë e vogël që ajri i Atlantikut tenton të afrohet, por fuqia e madhe e të nxehtit afrikan nuk e lejon këto masa ajrorë që të depërtojnë në Evropë dhe ta kthejnë klimë në origjinë. I nxehti kthehet në fundjavë dhe sërish temperatura do shkojnë në 40 gradë”, tha meteorologia.
Meteorologia tha se ngrohja globale dhe mosmarrja e masave nga njerëzi do sjell shfaqjen e fenomeneve ekstreme të motit në disa pjesë të botës.
“Me sa po shohim i nxehti afrikan po rikthehet dhe sërish në gadishullin Iberik dhe nga Spanja do vij tek ne. Rekordet tashmë të të nxehtit po na duken normale. Në këto 30 vite temperaturat janë gjithnjë e në rritje, por në 5 vjeçarin e fundit temperaturat janë rritur më shumë nga sa është pritur nga projeksionet. Njerëzit duhet të punojmë që ta mbajnë ngrohjen globale në këto nivele. Ngrohja globale nuk do të thotë vetëm temperatura ekstreme por dhe fenomene ekstreme. Në do të përjetojmë çdo vite dimra më të butë dhe vera më të nxehta”, tha ajo.