MENU
klinika

“Janë të rrezikuar të gjithë!“

I nxehti afrikan pushton Shqipërinë, mjekët kërkojnë masa si në Kosovë

15.07.2024 - 18:37

Temperaturat ekstreme qe kanë mbërthyer vendin tonë dhe që këtë javë pritet të jenë akoma më të nxehta, kanë vështirësuar jetesën e çdokujt dhe veçanërisht të atyre punonjësve që për shkak të profilit të punës së tyre detyrohen të punojnë në kontakt të drejtpërdrejt me diellin.

Ndërsa qeveria e Kosovës ka marrë masa duke ndaluar punën në ambientet e jashtme nga ora 11 deri në orën 17, në vendin tonë jo vetëm që nuk ka asnjë masë të tillë, por në rrugë shikon punëtorë që punojnë në pikun e të nxehtit pas asnjë mbrojtje.

Pamje që janë marrë paraditen e se hënës në rrugët e qytetit të Fierit tregojnë punëtorët duke punuar nën rrezet e forta të diellit. Mjekët apelojnë që masa të tilla, si të qeverisë së Kosovës të merren edhe në vendin tonë në mbrojtje të jetës së punonjësve.

Sipas mjekëve në të tilla temperatura cdo njeri është i rrezikuar dhe jo vetëm ato që kanë sëmundje apo patologji kronike.

Shmangia e daljes në pikun e temperaturave, konsumimi i të paktën 2,5 litra ujë në ditë dhe veshja me rroba të lehta dhe me ngjyra të hapura, rekomandohen nga mjekët për këto ditë ekstreme të të nxehtit që po kalon vendi.