MENU
klinika

“Po luan me zjarrin në Tajvan”

Kina e tensionuar për rizgjedhjen e Von der Leyen në krye të KE

20.07.2024 - 09:12

Rizgjedhja e Ursula von der Leyen si presidente e Komisionit Evropian ka shkaktuar tashmë grindjen e parë ndërkombëtare, teksa Kina ka denoncuar udhëzimet politike të mandatit të saj të dytë për frenimin e “ndërhyrjes së rëndë” në punët e brendshme të vendit.
“Të luash me zjarrin në Tajvan është shumë e rrezikshme,” tha të premten Wang Lutong, drejtori i përgjithshëm për çështjet evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme kineze, një ditë pasi shefja e Komisionit fitoi shumicën në Strasburg.

“Ndërhyrja dhe madje përpjekja për të bashkuar forcat nuk është aspak një zgjedhje e duhur për Evropën.”
Akuzat e Lutong i referohen një pasazhi të vogël në manifestin e rizgjedhjes së von der Leyen që e detyron ekzekutivin e saj të punojë ngushtë me Japoninë, Korenë, Zelandën e Re dhe Australinë për të adresuar “sfidat e përbashkëta në kibernetikë, hapësirë dhe në furnizimin e sigurt të mineraleve dhe teknologjive kritike.”

“Kjo përfshin përpjekjet tona kolektive për të vendosur të gjithë gamën e mjeshtërisë sonë të kombinuar për të penguar Kinën nga ndryshimi i njëanshëm i status quo-së me mjete ushtarake, veçanërisht mbi Tajvanin,” shkruan ajo në dokumentin e saj 30 faqesh.

Referenca nuk shton asgjë të re dhe thjesht përsërit qëndrimin e ditur të von der Leyen: Pekini duhet të përmbahet nga çdo aktivitet që mund të ndryshojë me forcë ngërçin prej dekadash në ngushticën e Tajvanit, duke përfshirë një pushtim ushtarak për të cilin shumë kanë frikë se është i pashmangshëm.
Por për Kinën, çdo deklaratë e favorshme për Tajvanin është një vijë e kuqe që asnjë vend, qoftë aleat apo kundërshtar, nuk duhet ta kalojë.