Një nga rekordet që ka shkaktuar kongresi zgjedhor i socialistëve, është keqardhja apo gëzimi që ka shkaktuar tek kundërshtarët e tij politik.
Kjo është ndoshta hera e parë që ndodh në histori, kur partia opozitare përfshihet deri në detaje në hallet e një Kongresi partie në pushtet, në mandatin e tretë të tyre dhe drejt mandatit të katërt.
Reagimi i parë ishte i Belind Këlliçit, një prej figurave kryesore të PD, i cili ishte në qiell të shtatë, që sipas tij, Kongresi kishte varrosur Erion Veliajn. Kështu ai e quante heqjen e Taulant Ballës si shok të Veliajt, heqjen e Peleshit si shok të Veliajt, heqjen e Çuçit si njeri që mbrojti Veliajn etj.
Këtë ngjitjen e Spiropalit nuk e kishte komentuar, por me pak fantazi mund të gjente dhe aty ndonjë lidhje me Veliajn, po të ishte konsultuar.
Dhe ishte më i kënaqur se sa të fitonte vet Bashkinë e Tiranës, kur thoshte se këta të rinjtë që janë vënë, janë të Belindës. Sikur ishin të tijët gëzohej.
Pastaj dy- tre portale të Berishës që flirtojnë me sponsorë socialistë, zbërthenin mesazhet e Kongresit, kush po ngrihej, kush po ulej, kush po anashkalohej, kush po vlerësohej etj.
Të kishin bërë kaq punë për PD ndoshta do t’i kishin më mirë punët, por me sa duket meqë shumicën e pagesave e marrin nga PS për t’u dukur me PD, ishin të sinqertë në shkrimet e tyre.
Në fund, si për t’i vënë vulën, doli dhe Fatmir Mediu dhe kërkonte llogari pse nuk ka transparencë për shkarkimin e Taulant Ballës. Nuk ishte e qartë nëse donte të thoshte që e shkarkuat kot, apo duhet të thelloheni më tej në gabimet e tij, por dukej që atë kishte shqetësim kryesor.
Kur shikon gjithë këtë interes të partisë opozitare që ka mbetur rrugëve, se çfarë ndodh në Partinë Socialiste, kush forcohet e kush dobësohet, kë goditi Pleniumi i Tretë e kë do të godasë i katërti, dhe fakti që nuk e fshehin as gëzimin, as hidhërimin për njerëzit e tyre në PS, e kupton që gjëja më e rrezikshme që ka ndodhur, nuk është konformizmi i PS, por fakti që opozita më e madhe në vend jeton me emocionet dhe humoret e Edi Ramës brenda PS, si satelit i saj.
Ai më shumë ka gëzuar e mërzitur demokratët me ato që ka bërë, se sa socialistët.
Duket qartë se një ditë pas kongresit, socialistët janë thjeshtë spektatorë, kurse këta të PD janë tifozët realë të Kongresit.
Dhe kjo është përgjegjësi e madhe, pasi tani “Qeveria Balluku nën drejtimin e Ramës”, duhet të kujdeset edhe për pushtetin, edhe opozitën.