Personi që shihni në foton e mësipërme është 35-vjeçari Erdion Muho, i cili u arrestua nga policia këtë të hënë në lidhje me shpërthimin e ndodhur më 25 qershor në Sarandë, ku ndërroi jetë biznesmeni Armand Nelaj.
Pas hetimeve të autoriteteve u zbulua se Nelaj së bashku me 35-vjeçarin kishin planifikuar vënien e një sasie eksplozivi te njëra nga anijet që operon në linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence.
Kjo sasi lënde plasëse ka shpërthyer aksidentalisht, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije, duke bërë që biznemeni 52-vjeçar të ndërronte jetë.
Erdian Muho është djali i një biznesmeni tjetër të njohur në qytetin e Sarandës. Ai merret kryesisht me biznese në fushën e hotelerisë, turizmit dhe transportit detar.
Në vitin 2021 Muho ka qenë pjesë e listave për deputet në listat e ‘Lëvizjes për Ndryshim’ të ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli.
Nuk dihen ende nëse Muho ka qenë afër 52-vjeçarit në momentin e shpërthimit dhe si ai ka mundur t’i shpëtojë fuqisë goditëse të lëndës plasëse.