Armando Broja vazhdon të jetë në shtije nga klubi i Çelsit, edhe pse londinezët vendosën të merrnin sulmuesin me vete në turin që po zhvillojnë në SHBA. Trajneri Enco Mareska përfshiu sulmuesin shqiptar në listën e 28 futbollistëve që ka marrë me vete në SHBA teksa la në Londër të tjerë lojtarë që pritet të largohen nga blutë.
Udhëtimi i Brojës me pjesën tjetër të skuadrës bëri që të lindin dyshime të reja rreth të ardhmes së sulmuesit dhe në rrjetet sociale u komentua gjatë ky vendim i trajnerit Mareska. Por sipas”The Athletic”, Broja ka udhëtuar atje për të qenë në dispozicion të trajnerit dhe për të garantuar që skuadra të ketë një numër të mjaftueshëm lojtarësh për çdo pozicion në mënyrë që të kryejë pa shqetësime fazën përgatitore dhe të përballojë ndeshjet e planifikuar në SHBA.
Burimet e “The Athletic” bëjnë të ditur se Broja vazhdon të jetë në shitje dhe klubi është gati të dëgjojë oferta për lojtarin, ndonëse e ka marrë me vete në SHBA, me londinezët që janë të gatshëm t’i japin lamtumirën përfundimisht gjatë kësaj vere ku po bëjnë ndryshime të mëdha në organikën e tyre.