MENU
klinika

BE e gatshme të tolerojë Athinën

Mitsotakis: Duam një pozicion strategjik në Mesdhe

24.07.2024 - 12:02

Greqia ka filluar mësymjen diplomatike duke kërkuar poste të rëndësishme si pjesë e rikonfigurimit të Bashkimit Europian. Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis është i bindur se vendi i tij do të marrë një punë shumë të rëndësishme kur Ursula von der Leyen të krijojë ekipin e saj kryesor.

Kyriakos Mitsotakis mund të marrë atë që dëshiron, gjithashtu, pasi luajti një rol kyç në ndihmën e presidentit të Komisionit Evropian për të siguruar një mandat të dytë, thekson revista prestigjioze Politico.

“Unë sigurisht që do të doja një portofol që të nxjerrë në pah nga njëra anë progresin që Greqia ka bërë ekonomikisht, por edhe një lloj pozicioni strategjik të Greqisë në krahun juglindor të Evropës dhe NATO-s”, tha Mitsotakis.

Pyetjes nëse Athina synon postin e komisionerit për Mesdheun e shpallur nga zonja Von der Leyen, Mitsotakis përgjigjet në këtë mënyrë. “Nuk dua të them këtë, por ajo që them është se ka portofole të tjera që mund të përgjigjen asaj që duam. Mendoj se është një ide e mirë të kemi një komisioner për Mesdheun. Unë vlerësoj se përfundimisht pozicionin do ta marrë një përfaqësues i një vendi mesdhetar. Nuk shpreh preferencë sepse ka portofole të tjera që mund të na interesojnë shumë dhe në fund është një vendim që do të marrë kryetari i Komisionit”, tha Mitsotakis.

Pas konfirmimit të Von der Leyen në krye të Komisionit Europian, kryeqytetet evropiane po dërgojnë kandidatët e tyre për Komisionin e ardhshëm. Von der Leyen do të marrë parasysh balancën gjinore, balancën e partive politike dhe balancën gjeografike kur ajo të ndajë portofolet.

Por, me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz në pozita të dobëta dhe ku ish-kryeministri holandez Mark Rutte dhe kryeministri belg Alexander De Croo të larguar nga Këshilli Evropian, Mitsotakis mund të pozicionohet si lider i liderëve dhe BE po e bën një tolerim të tillë, krejt e kundërta me Italinë me të cilën ditët e fundit janë shfaqur kontradikta.