MENU
klinika

Nga dietat vegjetariane te materialet e riciklueshme

“Paris 2024” Olimpiada më e gjelbër në histori

23.07.2024 - 11:50

Komiteti organizativ i “Paris 2024” është zotuar t’i bëjë Lojërat Olimpike më të gjelbrat në histori. Lojërat e vitit 2024 do të mbahen në të njëjtin vend ku liderët botërorë u takuan në 2015 për të nënshkruar një sërë angazhimesh mbi parandalimin e rritjes së temperaturave globale me më shumë se 1,5 gradë celsius. Nga tabelat e bëra nga kartoni deri te menutë me bazë bimore, Paris 2024 ka njoftuar disa iniciativa që ata pretendojnë se do t’i ndihmojnë të arrijnë objektivat e tyre.

Para Lojërave të Londrës 2012, u ndërtuan gjashtë stadiume të reja. Rio ndërtoi 10 vende të reja të përhershme dhe shtatë të përkohshme. Ndërsa në Paris nga 35 stadiumet që do të mirëpresin evenimentin, vetëm dy do të jenë të reja. Organizatorët pretendojnë se janë duke përdorur sedilje të bëra nga mbetje plastike të ricikluara ose struktura me dru. Komiteti organizativ i Lojërave ka premtuar gjithashtu se do të përdorë prodhimet bujqësore vendase për t’i dhënë prioritet më shumë dietave vegjetariane për sportistët.

Në Lojërat e mëparshme, disa stadiume duhej të mbështeteshin te gjeneratorët me naftë për energji. Organizatorët e Parisit në vend të kësaj, kanë premtuar se do të fokusohen në lidhjen e stadiumeve me rrjetin publik të energjisë elektrike. Këto lidhje do të zgjasin edhe përtej Lojërave.