Gjatë javëve të fundit, vëmendja ndërkombëtare është përqendruar në Ukrainë në prag të përvjetorit të dytë të pushtimit në shkallë të plotë në shkurt 2022. Por Ukraina nuk është e vetmja pjesë e Evropës ku Rusia po kërkon të ushtrojë ndikimin dhe kontrollin e saj . E anashkaluar shpesh nga komuniteti ndërkombëtar në një botë të përfshirë nga kriza ndërkombëtare, Serbia, një tjetër anëtare aspirante e Bashkimit Evropian , e gjen veten në një udhëkryq mes ndjekjes së së ardhmes së saj brenda bllokut ose qëndrimit brenda orbitës së Moskës.
Pavarësisht premtimit për prosperitet më të madh brenda BE-së, por edhe lajmeve se pati një “krisje” mes dy vendeve, shumë kanë frikë se Serbia po i afrohet sërish Kremlinit. Sinjale mikse vijnë nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili ndonëse pranoi se ka dy vjet e gjysmë pa folur me homologun rus Vladimir Putin, tani kërkon të tregojë me çdo kusht se gjithçka vazhdon si normalisht mes dy vendeve mike.
Festa e përbashkët
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka njoftuar se ai dhe ambasadori i Federatës Ruse në Serbi, Aleksandar Bocan-Harchenko, kanë rënë dakord që dy shtetet të shënojnë së bashku përvjetorin e çlirimit të Beogradit. “Ne jemi dakordësuar që të përkujtojmë së bashku 80-vjetorin e fitores mbi fashizmin dhe çlirimin e Beogradit. Ne kemi diskutuar për temat e interesit të përbashkët, sidomos në fushat si tregtia, kultura dhe siguria rajonale”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Instagram, pas takimit me ambasadorin rus.
Ai ka thënë se me Bocan-Harchenkon ka biseduar edhe për “situatën aktuale në shtet dhe rajon”. Përvjetori i çlirimit të Beogradit nga pushtuesi gjerman, shënohet më 20 tetor. Kryeqyteti i Serbisë është çliruar atëherë prej partizanëve jugosllavë dhe Ushtrisë së Kuqe Sovjetike. Në 70-vjetorin e çlirimit të Beogradit, të shënuar më 2014, pati marrë pjesë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin. Serbia është një prej pak vendeve të Evropës që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
“Ftohja” Serbi-Rusi
Para pak javësh në një dalje televizive, në emisionin “Hit Tweet” në Pink, Vuçiç foli për luftën në Ukrainë, për planet e Perëndimit për të nisur një konflikt me Rusinë dhe për faktin se zyrtarë të lartë të huaj shpesh e pyesin atë se çfarë thotë Presidenti rus Putin. “Ai nuk më thotë asgjë, nuk kam dëgjuar prej tij për dy vjet e gjysmë”, tha Vuçiç, dhe më pas shtoi me nxitim se, pavarësisht se ai mund të flasë me Putinin kur të dojë. Intervista erdhi pas raportimeve në media se kishte një “krisje” në marrëdhëniet Serbi-Rusi. Shkak për këtë janë bërë raportimet e disa mediave ndërkombëtare për faktin se Beogradi po lejon që armët serbe të përfundojnë në Ukrainë.
“Financial Times” në një artikull në qershor shkroi se “prova se armët serbe po arrijnë në frontin lindor është se Beogradi po u shet armë vendeve perëndimore”. Dyshimet i shtuan raportimet lidhur me vizitën e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Aleksandar Grushko, në Beograd, i cili u largua nga Serbia menjëherë pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Sipas informacioneve shkak për këtë vendim ka qenë përgjigjja e Vuçiçit për pyetjen se si përfundojnë armët serbe në frontin ukrainas.
Varësia e Beogradit
Megjithatë, Vuçiç vazhdon me këmbëngulje të mohojë çdo lajm për prishje marrëdhëniesh, ndoshta nga nevoja, ndoshta nga rëndësia dhe përfitimet që vijnë bashkë nga partneriteti me rusët. Vuçiç, ka thënë se niveli i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Rusisë “është shumë i mirë dhe do të mbetet i tillë pavarësisht keqbërësve”.
“Ne kemi marrëdhënie të mira, shumë të mira me Federatën Ruse, dhe ato do të vazhdojnë pavarësisht nga të gjithë ata që do të donin që ne të mos i kishim ato”, ka thënë ai. Për Vuçiçin, këto lidhje diplomatike duket se tejkalojnë strategjinë politike; ato mishërojnë një interes tejet personal. Marrëdhënia e tij me Putinin nuk është vetëm një çështje shteti; është një dinamikë që formëson dinamikat rajonale dhe manovrat gjeopolitike në Evropën Juglindore.