Mundësitë për një fitore të menjëhershme të së djathtës ekstreme në zgjedhjet dramatike franceze, ranë ndjeshëm të martën, pasi kandidatët e qendrës dhe të majtët u bënë bashkë, në përpjekjen për të ndalur Tubimin Kombëtar të Marin le Pen të marrë pushtetin për herë të parë.
Të paktën 200 kandidatë nga aleanca e majtë e Zhan Luk Melenshon dhe koalicioni centrist i Emmanuel Macron u tërhoqën nga gara në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve në mënyrë që të bashkohen pas kandidatëve të mbetur me shansin më të lartë për të mundur nacionalistët e le Pen. Vendimi i tyre mund të përcaktojë rezultatin e raundit të dytë ditën e diel, dhe gjithashtu nëse Franca do të ketë qeverinë e parë të ekstremit të djathë në historinë moderne të Republikës. Sistemi elektoral francez nuk prodhon zakonisht një panoramë kaq të ndërlikuar, por vendimi i beftë i Macron për të shpërndarë parlamentin përzgjedhje të parakohshme, pas fitores së ekstremit të djathtë në zgjedhjet europiane e ka zhytur politikën në kaos.
Nëse fiton shumicën absolute, prej 289 vendesh në Asamblenë me 577 të tilla, lideri i partisë, Jordan Bardella do të mandatohet nga Macron për krijimin e qeverisë, duke I dhënë nismë një periudhe të vështirë dhe të tensionuar bashkëjetese mes dy armiqve politikë. Presidentja e partisë së ekstremit të djathtë, Le Pen, akuzoi presidentin se po ndërmerrte një grusht administrativ shteti, pasi sipas saj po përgatitej për një numër emërimesh kyçe në polici dhe ushtri, vetëm pak ditë para votimit.