MENU
klinika

“Nëse Vuçiç vjen…”

Posterat rindezin tensionet në veri, kërcënon Sveçla

01.07.2024 - 14:19

Mëngjesin e djeshëm në komunat në veri të Kosovës janë shfaqur disa postera me imazhin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në posterat ku shihet Vuçiç, shkruhet: “Komandant Suprem, ju presim”. Këto postera janë shfaqur në katër komunat veriore, Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe veri të Mitrovicës. Posterat janë vendosur në muret e ndërtesave, shtëpive, lokaleve dhe hapësira të tjera publike. Lidhur me këtë ka reaguar edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, që ka paralajmëruar se nëse Vuçiç është nisur drejt Kosovës pa kërkesë ose lajmërim, ai do të arrestohet. “I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, ka shkruar ministri në profilin e tij në Facebook. Për këtë rast ka reaguar edhe Policia e Kosovës. Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka deklaruar se është hapur hetim për veprën penale “Nxitje e Urrejtjes”. “Në disa lokacione të komunave në veri të vendit janë shpërndarë pamflete me foton e Presidentit të Serbisë. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit është hap rasti “Nxitje e Urrejtjes””, ka thënë Elshani. Kryeministri i Serbisë Millosh Vuçeviç, tha se askush në Prishtinë nuk ka as një të miliontën e kapacitetit politik, forcës intelektuale dhe moralit të Aleksandër Vuçiçit. “Komentet e një të vetëshpallurit të një shteti të rremë për presidentin Vuçiç dëshmojnë një shkallë jashtëzakonisht të lartë zilie dhe urrejtjeje”, tha Vuçeviç.