“Gjashtë muajt e ardhshëm janë vendimtarë për rrugën evropiane të Serbisë. Presim shumë gjëra të mira dhe të rëndësishme nga BE-ja dhe e dimë se cilat janë obligimet dhe detyrat tona dhe shpresojmë në rezultate konkrete”. Kështu ka bërë të ditur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me njoftimin se ka marrë pjesë në pritjen ceremoniale me rastin e fillimit të kryesimit të Hungarisë me Këshillin e Bashkimit Evropian. “Ne jemi pjesë e Evropës, nuk kemi ku të shkojmë dhe nuk do të shkojmë askund tjetër. Ne jemi një vend sovran dhe i pavarur dhe kërkoj nga të gjithë të tjerët, të cilët jo gjithmonë janë të kënaqur me qëndrimet e Serbisë, të kuptojnë se ndonjëherë duhet të shprehim mendimin tonë”, ka shkruar Vuçiç, duke shtuar se falënderon miqtë hungarez për gjithë mbështetjen që ju kanë dhënë. “Unë do t’i kërkoja BE-së të punojë së bashku, të ndërtojë dhe të ushqejë me kujdes marrëdhëniet tona. Kjo është e vetmja rrugë për ne dhe ne duam të ndërtojmë të ardhmen së bashku me ju”, thuhet në mesazhin e Vuçiçit, së bashku me fotot me zyrtarë nga Hungaria, Serbia dhe Bashkimi Evropian, nga pritja në kantinë “Zvonko Bogdan”. Vuçiç i ka uruar Hungarisë fillimin solemn të presidencës së Bashkimit Evropian.Nga 1 korriku, Hungaria udhëheq presidencën e Bashkimit Evropian. Gjashtë muajt e ardhshëm mund të jenë të vështirë për lidershipin e BE-së, marrë parasysh se kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka qëndrime kontradiktore me BE-në: nuk është i kënaqur me sanksionet e saj kundër Rusisë, ka penguar ndihma ushtarake dhe financiare për Ukrainën dhe ka vënë në pikëpyetje aspiratat e Kievit për anëtarësim në BE. Për më tepër, Hungaria, është penalizuar nga BE, që ia ka ngrirë 6 miliardë euro fonde.