Edhe pse ndjekësit e këngëtares Katy Perry e kanë pritur me padurim videoklipin e këngës së saj të re, ‘Woman’s World’, duket se ky i fundit nuk i është dukur i përshtatshëm disave prej tyre.
Si titulli ashtu edhe teksti i këngës kanë si qëllim të dërgojnë një mesazh në favor të grave dhe vajzave. Megjithatë, duket se nuk është e njëjta gjë me klipin.
Fansat e këngëtares u shokuan nga pamjet zbuluese që shfaqnin si ajo ashtu edhe kërcimtaret e saj. Në komentet e bëra poshtë këngës, fansat thonë se videoklipi është sikur të jetë realizuar ekskluzivisht për “sytë mashkullore”, pavarësisht mesazheve feministe që mundohet të përcjellë.
Të tjerë komentojnë se Katy Perry duket “fantastike” në këtë video të veçantë, por nuk e kuptojnë se si po përpiqet të ndihmojë femrat e tjera. Së fundi, shumë kanë përmendur se regjisori pas klipit është padyshim një burrë ose se ky lloj feminizmi është ajo që mendojnë burrat.