MENU
klinika

Në 13 vite janë marrë 6 eurobonde

Shqipëria del në treg të huaj, kërkon 650 mln € borxh!

05.07.2024 - 14:42

Shqipëria do të dalë përsëri në tregjet ndërkombëtare vitin e ardhshëm, për të emetuar një eurobond në vlerën 650 milionë euro.

Eurobondi që pritet të emetohet në vitin e ardhshëm do të përdoret për të mbuluar nevojat qeverisë, si për financimin e borxhit të kaluar ashtu edhe për shpenzime të tjera e mbështetje buxhetore.

Në kuadrin Makroekonomik e Fiskal 2025-2027 të rishikuar së fundmi është saktësuar se deri në vitin 2027, planifikohen të tërhiqen dy borxhe, njëri në vlerë 650 milionë euro dhe tjetri 540 milionë euro.

Në fakt Ministria e Financave i ka reduktuar planet nga 3 në 2 eurobonde përgjatë këtyre tre viteve (2025-2026-2027), pasi në kuadrin e miratuar në fillim të vitit 2024, ishin parashikuar të emetohen tre eurobonde, me vlera 650, 540 dhe 650 milionë euro. Edhe në Makroekonomik e Fiskal 2024-2026 ishin planifikuar tre emetime, por në vlera më të ulëta.

Duke qenë se pas reduktimit të inflacionit bankat qendrore po lehtësojnë politikat e tyre monetare duke ulur normat bazë të interesit, borxhi mund të merret me një kosto më të ulët se ai i emetuar vjet, por ekspertët gjykojnë se situata në tregjet e huaja ende nuk është e stabilizuar.

Nëse emetohet ky do të jetë eurobondi i 7 që vendi ynë do të marrë në tregjet e huaja, pasi deri më tani kemi marrë në tregjet e huaja 6 eurobonde me vlerë 3.2 miliardë euro. Në 2010 u emetua eurobondi 300 milionë euro me normë interesi 7.5%, në 2015 u mor borxh 450 milionë euro me normë 4.75%, në 2018 ishte i radhës 500 milionë euro me interes 3.5%, në vitet 2020 dhe 2021 u emetuan eurobondet me nga 650 euro me interesa 3.5% dhe 3.7% dhe i fundit ishte i vitit 2023, me vlerë 600 milionë euro dhe interes 5.9%.

Aktualisht borxhi publik i vendit ka zbritur në 58.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe pritet të reduktohet më tej në 55% në vitin 2027, por janë rritur kostot e kthimit të tij për shkak të interesave të larta të viteve të fundit.

Vetëm në 5 muajit e parë të këtij viti janë shpenzuar afro 220 milionë euro për interesat e borxhit, duke arritur në vlera rekord historike.

EUROBONDET E MARRA DHE PLANIFIKIMET
Viti Vlera Interesi
2010 300 mln € 7.5%
2015 450 mln € 4.75%
2018 500 mln € 3.5%
2020 650 mln € 3.50%
2021 650 mln € 3.75%
2023 600 mln € 5.9%
2025 650 mln € ??
2027 540 mln € ??

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Standard & Poor’s konfirmon vlerësimin

“B+” për ekonominë shqiptare

Sinjal besimi në rritje

Banka Botërore vlerëson eurobondin