MENU
klinika

BE kritika Beogradit

“Shteti i vetëm që nuk ka respektuar sanksionet ndaj Rusisë…”

04.07.2024 - 19:13

Serbia nuk ka respektuar paketën e fundit të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë si përgjigje ndaj agresionit kundër Ukrainës.

Kjo është paketa e 14-të e sanksioneve që Bashkimi Evropian ka prezantuar që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka publikuar listën e “vendeve të treta” që kanë respektuar vendimin e fundit të Brukselit, ku përfshihen të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Këtij vendimi të Këshillit të BE-së i bashkohen Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Ukraina dhe Bosnja e Hercegovina, si dhe Islanda dhe Lihtenshtajni, anëtarë të Zonës Ekonomike Evropiane, tha Borell.

“Ata do të sigurojnë që politikat e tyre kombëtare të jenë në përputhje me këtë vendim të Këshillit. Bashkimi Evropian e merr parasysh këtë angazhim dhe e mirëpret atë”, thuhet në deklaratë.

Serbia nuk respektoi as masat kufizuese në përgjigje të aneksimit të paligjshëm të Krimesë dhe Sevastopolit, të cilat u miratuan në nivel të BE-së më 17 qershor, madje nuk iu përmbajt as sanksioneve kundër Koresë së Veriut.

Është një vendim i Bashkimit Evropian i datës 31 maj që shton gjashtë emra të tjerë në listën e sanksioneve të personave ose subjekteve që konsiderohen përgjegjës për programet e Koresë së Veriut në lidhje me armët bërthamore, raketat balistike ose armë të tjera të shkatërrimit në masë, ose personat ose subjektet që veprojnë në to.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Serbia nuk ka vendosur asnjë sanksion kundër Rusisë.