MENU
klinika

Në Shëngjin, Durrës, Ksamil e Velipojë

Siguria në plazhe/ Gjatë 1 jave bllokohen 34 mjete lundruese

14.07.2024 - 18:00

Policia Kufitare ka bllokuar 34 mjete lundruese, nga Ksamili në Velipojë, në kuadër të operacionit “SIGURIA DETARE”.

Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare kanë intensifikuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, hapësirave liqenore dhe atyre lumore.

Gjatë kësaj jave Policia Kufitare ka bllokuar 34 mjete lundruese, prej të cilave 24 jet ski, 6 skafë dhe 4 gomone. 25 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili në Vlorë. 7 mjete lundruese janë bllokuar nga Durrësi në Shëngjin.

2 mjete lundruese janë bllokuar në Velipojë. 10 prej mjeteve lundruese të bllokuara janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masë administrative 100 000 lekë.

Drejtuesit e 24 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative 10 000 lekë për mungesë dokumentacioni.

Ndërkohë, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare përgjatë kësaj jave iu kanë ardhur në ndihmë turistëve dhe vizitorëve në 4 raste, që kanë kërkuar ndihmë në hapësirën detare nga Ksamili në Velipojë.