MENU
klinika

Fuga për ndryshimet në Kod

Sistem që hedh në erë barazinë për t’u zgjedhur

25.07.2024 - 12:03

Politikanë të fiksuar te pushteti dhe…
të pafiksuarit si ushtarët e të fiksuarve!

Edhe opozita është fiksuar te “lista e fiksuar” e kandidatëve për deputetë, njësoj si shumica!
Bakllavaja është ndarë tashmë mes shefave.
Kemi 30 e kusur vjet që luajmë me kodin elektoral. Ndryshim pas ndryshimesh. Nuk gjejnë rehat partitë kryesore politike. Gjithsesi ajo që bën të përbashkëtën në të gjitha këto ndryshime, si rezultate politike të qendrueshme janë dy:

1. Kemi në 40 vjet (ku po shkojnë) të njëjtën klasë politike drejtuese.
2. Kemi monopol politik të një, dy, ose tre partive politike, dhe një kostelacion partish pa elektorat që vijnë rrotull të parave.
Ky është stagnacioni politik në vend, me ato tipare të stagnacionit politik në vendet autoritariste pas luftës së ftohtë, ose si më parë 45 vjet PPSH ! (Lart frymën e Kongreseve!)
Shoh draftin e marrëveshjes midis PS dhe PD për ndryshimet e Kodit zgjedhor dhe lexoj me trishtim, hilaritet, se listat e kandidatëve për deputetë do t’u ndakan në dysh për çdo parti:
1. Lista e kandidatëve të fiksuar, që partia i vendos dhe kanë privilegje sepse vendet e tyre janë fiksuara. Janë çimentuar aty.

Krerët e establishmentit politik të çdo partie do të privilegjojnë veten.
Ku e kanë parë këtë në ndonjë kod elektoral të ndonjë demokracie? Do të pajtohet OSBE, BE, KE, PE, me këto lojëra që tallen me elektoratin?
2. Lista e kandidatëve që do të dalin mes një lufe vëllavrasëse midis tyre për të dalë deputetë.
Cila është e vërteta në sociologji politike e kësaj dakordësie?
Krerët e establishmentit politik marrin një pozitë të privilegjuar në çdo parti politike. Pra distancohen nga deputetët e tjerë “langaraqë” të po asaj partie. Të përjetshmit mbeten të përjetshëm.

Deputetët e “pafiksuar”, pra që do të luftojnë për vota kundër njeri tjetrit, do të vihen nën sundimin e krerëve të “fiksuar” sepse këta të fundit, nga maja e Olimpit do të përcaktojnë edhe fatin e të pafiksuarëve, duke i pasur nën kontroll dhe luajtur me fatin e tyre politik.
I gjithë ky ndryshim nuk është veçse antikushtetues sepse hedh në erë barazinë e shtetasve shqiptarë për t’u zgjedhur. Ca të fiksuar dhe ca të pafiksuar!
Ta shohim a do ta çojë ta ankimojë opozita këtë në Gjykatën Kushtetuese?
Apo të fiksuarit e opozitës nuk kanë interes ta bëjnë!