MENU
klinika

Spanja dhe Franca premtojnë emocione

Sot, gjysmëfinalja e parë e Euro 2024

09.07.2024 - 10:18

Euro 2024 hyn në fazën finale me katër skuadrat më të mira të turneut tani një hap përpara Berlinit dhe finalen e madhe më 14 korrik.

Seria gjysmëfinale fillon sonte në orën 21:00 me ndeshjen gjigante mes dy prej “fuqive” të futbollit europian. Spanja dhe Franca, të cilat do të “përplasen” në Mynih, me fituesin që rezervon një vend në finalen e madhe.

Spanjollët janë të vetmit që kanë fituar të pesë ndeshjet që kanë luajtur deri më tani, ndërsa janë të parët në gola (11), tentiva drejt portës (102) dhe zotërime të topit (230), duke dëshmuar se sa mbresëlënës janë si në sulm ashtu edhe në mbrojtje.

“Lojtarët e mi janë të uritur”, kishte theksuar trajneri Luis de la Fuente pas fitores ndaj Gjermanisë në çerekfinale, duke shtuar se “…ka gjithmonë vend për përmirësim, sigurisht, por nuk mund të vëmë në dyshim krenarinë, cilësinë dhe angazhimin”.

Kundër tyre janë francezët shumë të qëndrueshëm, të cilët kanë pësuar vetëm një gol (dhe atë nga penallti) në pesë ndeshje. Por edhe vetë lojtarët e saj kanë shënuar vetëm një (nga penalltia), pasi dy të tjerët janë autogola.

Blutë synojnë finalen e katërt të turneut të madh në tetë vitet e fundit, pasi kanë arritur në ndeshjen finale të kompeticionit në Euro 2016 dhe në finalet e Kupës së Botës 2018 dhe 2022, duke konfirmuar përvojën e tyre.

“Ne jemi në gjysmëfinale dhe është diçka që nuk duhet ta marrim si të mirëqenë, edhe nëse jemi mësuar kohët e fundit”, tha trajneri Didier Deschamps pas fitores çerekfinale ndaj Portugalisë, duke shtuar: “Tani ne do ta fitojmë”.

Spanja kërkon të kualifikohet në finalen e Kampionatit Evropian për herë të 5-të në historinë e saj (kanë tre trofe) dhe Franca për të katërtën (kanë 2 trofe).

Iberikët do të rreshtohen pa Dani Carvajal dhe Robin Le Normand të pezulluar, ndërsa Pedri e ka mbyllur Europianin me një dëmtim në gju. Jesus Navas, Nacho dhe lojtari i çerekfinales me Gjermaninë, Dani Olmo, logjikisht do të zënë vendin e tyre në skuadrën kryesore.

Nga ana tjetër, Didier Deschamps do të ketë sërish në dispozicion Adrien Rabiot, i cili vuajti dënimin dhe do të zëvendësojë Eduardo Kamavinga.

Formacionet e mundshme:

SPANJË: Unai Simon, Navas, Nacho Laporte, Cucurella, Rodri, Olmo, Fabian Ruiz, Yamal, Nico Ëilliams, Morata.

FRANCË: Menian, Coute, Saliba, Upamecano, Hernandez, Kante, Tchouaméni , Rabiot, Griezmann, Kolo Mouani, Mbappe.

Gjyqtar: Slavko Vinçiç (Slloveni)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Kombëtarja në kualifikuese ka thyer çdo rekord”

Duka: Për mua Çuni është gati të ndihmojë në Euro 2024

Spanjollja “AS” i thur elozhe trajnerit të kuqezinjve

“Kampion te Barça dhe hero në Shqipëri”