MENU
klinika

Beteja për kurorën e ‘EURO 2024’

Spanja dhe Anglia përballen sonte në “Olympiastadion”

14.07.2024 - 17:49

Spanja dhe Anglia janë gati për betejën e madhe të Berlinit! Ndërsa “La Roja” e ka fituar tri herë këtë trofe, “Tre Luanët” kanë shansin që ta ngrenë për herë të parë.

Nëse triumfon në finale, “Furia e kuqe” bëhet kombëtarja me më shumë Europianë të fituar, me triumfe në 4 finale radhazi. Trajneri i kombëtares spanjolle, Luis de la Fuente tha në konferencën për shtyp para sfidës, se në ekip nuk ka tension.

“Jemi të qetë dhe e dimë se nuk ka favorit. Në finale gjithçka është e barabartë. E dimë që duhet të rrisim nivelin nga ndeshja e fundit për të pasur më pas shanse për të fituar. Kemi respekt për rivalin. Finalja e një kampionati Europian është një nga momentet më të mëdha sportive. Jemi të qetë, të emocionuar dhe të etur për të tentuar titullin. Me futbollistët që kemi është e vështirë për të hequr dorë nga stili ynë i lojës. Jemi të përgatitur për të luftuar për të fituar. Në kujtesë mbetet vetëm fituesi”.

Ndërsa tekniku i “Tre luanëve”, Gareth Southgate është 90 minuta larg lavdisë. Ai e di se e gjithë vëmendja e kombit është mbi të dhe djemtë e ekipit, por beson tek suksesi i madh.

“Unë nuk besoj tek përrallat, por unë besoj tek ëndrrat! Ne kemi ëndrra të mëdha, por ti duhet që t’i bësh këto ëndrra realitet e të luftosh. Do ishte shumë bukur të fitonim, por duhet të luftojmë fort në fushë. Jam shumë i emocionuar për këtë mundësi që kam si trajner, të bëj shumë njerëz të lumtur përfshirë veten. Do të jetë një betejë e madhe, kështu që ne do të japim gjithçka kemi!”

Interesi është shumë i madh nga ana e dy tifozerive për ndeshjen e sotme. Në stadiumin ‘Olimpiastadion’, që ka një kapacitet prej 71 mijë vendesh pritet që mbi 40 mijë tifozë të mbështesin ‘Tre luanët” në finalen e tyre të parë në një kompeticon europian jashtë territorit britanik.