CNN grek shkruan se vendosja e Vangjel Tavos si kandidat i Partisë Socialiste për Bashkinë e Himarës mund të shikohet si një mundësi për “zgjidhje dhe jo krize”.
Vangjel Tavo tregon për median greke se vendosi të jepte dorëheqjen nga posti i Prefektit të Vlorës pas një propozimi nga vetë kryeministri Edi Rama për të zgjidhur problemet e mbartura në 35 vite në bashkinë e Himarës.
“Problemi i pronave në Himarë është një problem që nuk zgjidhet prej 34 vitesh” tha Tavo
Duke nënvizuar se si: “kaluan qeveritë, ndryshuan qeveritë, deputetët vijnë dhe ikin dhe thanë gënjeshtrat e tyre dhe më në fund problemi filloi të zgjidhej kur unë u emërova Prefekti i qarkut të Vlorës, kur filluam të japim tapitë – dhe nuk kemi dhënë pak”.
11 ditë më parë, “i zgjedhuri” i Edi Ramës, siç e quajnë shumëkush, shkruan CNN, vendosi të jepte dorëheqjen nga posti i qarkut të Vlorës për të kandiduar në zgjedhjet bashkiake të Himarës, me të cilin deklaroi se vendimi i tij erdhi “pas një propozimi të kryeministrit dhe diskutim me të për Bashkinë e Himarës dhe problemet e saj.
Çështje të cilat kanë krijuar shumë herë dhe kriza jo vetëm në Himara, por kanë kaluar kufijtë, madje duke ngrirë marrëdhëniet diplomatike të dy vendeve Greqi-Shqipëri.
“Në këto kushte më telefonoi kryeministri dhe më kërkoi të kandidojë për kryetar të Bashkisë Himara si një person që ka një përvojë të gjatë në politikë, në menaxhim” tregon Tavo.
“Kam qenë një nga kundërshtarët më të ashpër të Ramës”
Eksperienca e gjatë në politikë e Vangjel Tavos, i cili ka shërbyer si ministër i Shëndetësisë dhe nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe deputet për shumë mandate në Kuvend, është thirrur nga Edi Rama jo si një aleat politik, sepse sikurse shkruan CNN, 14 vite nuk është marr vesh mirë me Edi Ramën, por si një menaxher për të zgjidhur krizën.
“Unë kam qenë një nga kundërshtarët më të fuqishëm dhe më të ashpër të Ramës, ndaj ai nuk më ftoi si bashkëpunëtor të tij. Ai më ftoi vetë që të zgjidhja disa çështje sepse, me sa kuptoj, ekziston edhe vullneti i tij për t’i zgjidhur këto probleme që këto probleme të mos jenë më pengesë për ecurinë e marrëdhënieve mes dy vendeve” shprehet Tavo .
Vangjel Tavo i shtrin dorën e bashkëpunimit dhe kandidatit të opozitës Petro Gjikuria duke i ofruar dhe postin e Nën/Kryetarit të Bashkisë së Himarës në rast fitore.
“Nëse Petro Gjikuria – i ardhur nga Amerika dhe është kaq i interesuar dhe është logjike që të ndihmojë Himarën – humb zgjedhjet, të cilat do t’i humbasë, do të qëndrojë këtu për të kontribuar për të mirën e Himarës? Për të kontribuar në zhvillimin e Himarës pas disfatës së tij? Unë kam një propozim. Do të doja shumë të thoshte që do të qëndrojë këtu sepse do t’i ofroja të vinte në stafin tim pas zgjedhjeve dhe pse jo të vinte si nënkryetar i Bashkisë së Himarës. Shpresoj të pranojë dhe të bëhet nënkryetar i Bashkisë së Himarës, këtë e them publikisht. Unë jam duke pritur për të. Pres përgjigjen e tij” përfundon Tavo.