MENU
klinika

Pse u ndalohet rreptësisht publikimi i lajmeve?

Zgjedhjet në Britani, mediat në heshtje totale

04.07.2024 - 19:19

Agjencitë britanike të lajmeve dhe kanalet televizive nuk do të shfaqin asnjë artikull apo kronikë të vetme mbi zhvillimet politike sot. Arsyeja? zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar.

Mbretëria e Bashkuar është aktualisht në proces të votimit për kryeministrin e saj të ardhshëm. Vendvotimet u hapën në orën 7:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 22:00 kur exit poll-et do të japin një tregues të fortë të rezultatit përfundimtar.

Çfarë thonë rregullat?

Sipas Ofcom, rregullatori i transmetimit në Mbretërinë e Bashkuar, kanalet e lajmeve “nuk mund të publikojnë rezultatet e ndonjë sondazhi të opinionit në ditën e votimit deri sa të mbyllen zgjedhjet”.

Është gjithashtu vepër penale të publikosh çdo sondazh ose parashikim të sondazheve të daljes kur votimi është duke u zhvilluar. Kjo për të siguruar që organizatat mediatike të mos duken të paanshme në një kohë kur votuesit japin votat e tyre.

Ndërsa këto janë rregullat e vendosura për transmetuesit dixhitalë dhe televizivë, gazetaria e shkruar – gazetat dhe revistat – kanë një sërë rregullash të ndryshme që i lejojnë ata të publikojnë përmbajtje zgjedhore në platformat e tyre përkatëse. Arsyeja për këtë pabarazi është se shumica e gazetave dalin për t’u botuar gjatë natës, që në mënyrë efektive do të thotë se çdo informacion i ri mbi zgjedhjet nuk do të ishte i disponueshëm për lexuesit në ditën e votimit.