MENU
klinika

Cara: Ndizen për kullota, por edhe nga pakujdesia

90% e zjarreve të kësaj vere ishin të qëllimshme!

23.08.2024 - 17:52

Hapja e kullotave, parcela për ndërtim dhe vetëm pak raste nga pakujdesia, janë shkaqet kryesore të vatrave të zjarrit këtë vit në Shqipëri. Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, Arben Cara, në një intervistë për Tv Klan thotë se në 90% të rasteve zjarret kanë qenë të qëllimshme.

“Kemi zjarre aksidentale nga pakujdesia, banorëve që mundohen të pastrojnë parcelat e tyre, ullishteve, grurit, por mbi 90 % e rasteve të zjarrit janë vatra të qëllimshme. Kryesisht janë çobenjtë ata që shkaktojnë zjarre duke hapur kullota për bagëtitë e tyre. Ndoshta për të hapur edhe një parcelë për të ndërtuar”, tha ai.

Krahasuar me një vit më parë, në Shqipëri janë regjistruar 10% më shumë raste zjarri, duke bërë që gjatë një dite të evidentohen 53 ngjarje të tilla.

“Situata e zjarreve ka qenë vërtetë alarmante. Kemi patur një 10% më shumë se vitin e kaluar vatra të shtuara zjarri. Këtë vit kemi pasur 10-15 raste minimalja në ditë, por kemi pasur deri në 53 raste zjarri në ditë në të gjithë Shqipërinë në 61 bashki”, tha ai.

7 kanë qenë qarqet më problematike.

“Zona e Gjirokastrës, Korçës, Dibrës, Fierit, Vlorës Lezha, Shkodra, kanë qenë qarqet më me probleme më me vatra zjarri”, tha ai.

Të dhënat e policisë tregojnë se vetëm për muajin Gusht, në rang vendi janë arrestuar 25 persona dhe janë proceduar 40 të tjerë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Plani Kombëtar për Energjinë dhe Klimën

Ndryshimet klimatike, çfarë rrezikon Shqipëria