Ngjarja e Pogradecit ku humbi jetën në mënyrë tragjike Egli Proga duket se u mbyll ashtu si ai dialogu në filmin “Lulëkuqet mbi mure”. Aty, në atë film, ka një pasazh të mrekullueshëm që tregon se si ndërtohet narrativa nga instancat e autoritetit. Por këtë do ta sqaroj më poshtë. Është e njohur në teoritë e komunikimit se ngjarjet riprodhohen sipas motivit apo qëllimit të thënësit. Ngjarja e Pogradecit dhe narrative që ajo prodhoi janë një leksion i mirë gazetarie për të parë qëllimin e thënies, personazhet e thënies, mesazhin dhe aktorët që e realizojnë atë thënie.
Me qenë se kanë kaluar disa ditë, do t’ia lejoj vetes që të përdor edhe nota humori të zi megjithëse ajo ishte një ngjarje tragjike. Nëse një ngjarje krijon disa narrative ajo nuk është zbardhur ashtu si duhet, por nëse ka vetëm një narrativë atëherë ajo ngjarje është fshehur ose është rrëfyer sipas qëllimit që ka autoriteti për të treguar jo atë që ka ndodhur por atë që duhet të ketë ndodhur. Filmi “Lulëkuqet mbi mure” e aktualizon më së miri këtë analogji. Rasti i Pogradecit ilustron më së miri pikërisht faktin se është tjetër gjë kronika e ngjarjeve dhe tjetër gjë narrative ose rrëfimi i tyre.
Për të kuptuar përse narrative e Policisë së Shtetit krijoi aq keqkuptime, unë po bëj edhe një analogji me filmin që përmenda për të treguar se, në këtë rast, Policia e Shtetit nuk tregoi çfarë kishte ndodhur, por ndërtoi një fiksion të asaj që kishte ndodhur. Ajo rrëzoi të gjitha raportimet e medias dhe u përpoq të impononte autoritetin e saj informativ. Mirëpo, në këtë rast, duhet kujdes se kur teprohet kjo të çon na autoritarizëm dhe për këtë publiku mund të shtyhet që të bëjë analogji me filmin e përmendur më lart. Si? Ja ta shohim. Kujdestari i filmi, aktori i madh Kadri Roshi, e ndjek djaloshin e gjorë, Sulo dhe ai del nga porta dhe patrulla e vret. Tani çështja është : e vrau patrulla apo ra nga muri.
Dhe vjen skena e famshme e kuestorit me fëmijët. Kuestori don t’i bindë fëmijët se Suloja ra nga muri dhe nuk e vrau patrulla. « Dëgjuam krisma », thotë një fëmijë aty. « Kush foli ? », « Hë mo kush ?» dhe një nga karabinierët, aktori Vasillaq Vangjeli ngre për leckash lart atë që ai dyshon që pyeti. « Ja, pra, vijon kuestori – e shikoni që krisma nuk ka patur ». Për analogji edhe media ato ditë tha që Eglin e vrau një bandit se e qëlloi me grusht. Por Artur Lilo, në spital u thoshte kolegëve të tij se ka vdekur një i dehur. Kur kushuriri i Eglit i tha që jo e kanë vrarë, ai iu përgjgij « Ik mor andej ti ».
Sipas Autoritetit policor ky polic ka kryer detyrën. Ai nuk ka dëgjuar krisma. Gjithë ky paradoks tragjikomik që prodhoi një narrativë krejtësisht të ndryshme nga ajo që ndodhi vjen për shkak se Policia e Shtetit ka një mizë të vogël në kësulë. Kjo mizë bëhet edhe më e madhe me lajmin tjetër, atë për arrestimin e shefit gangster të narkotrafikut në Durrës, Gazmir Preçi. Këtu ka reaguar vetëm ministri dhe mirë ka bërë. Mirëpo këtë radhë Policia e Shtetit që u prek në sedër me median pse kishte rrëfyer të qëna e të paqëna për vdekjen e Eglit na ka borxh një sqarim. Kush e emëroi këtë polic në një post kaq të lartë tre vjet pasi e kishin shkarkuar si mbrojtës i kultivimit të kanabisit në Mallakastër?
Si ka mundësi që bëhet një emërim i tillë ? Nëse nuk dënohen e ndëshkohen gjithë znixhiri që e emëroi atë gangster në krye të një posti aq të rëndësishëm, atëherë ne të gjithë me dhimbje duhet të fillojmë të dyshojmë se në Policinë e Shtetit po ringjallet korrupsioni. Ky njeri që vë gjoba me uniformën e policisë ia ka borxh ato para atij që e ka emëruar në atë post. Nëse Artur Liloja që tha se Egli vdiq nga pija dhe kështu paska bërë detyrën, po Preçi çfarë detyre ka bërë zotërinj të Policisë së Shtetit ?! Nëse ju keni një justifikim se përse e emëruat në atë detyrë një polic të ndëshkuar për përkrahje të drogës dhe nëse ky justifikim është ashtu si për policin e Pogradecit Artur Lilo, atëherë na thoni se detyrën e cilës polici ka kryer dhe të cilit epror.