MENU
klinika

Përmbytja e jahtit në Siçili

Çfarë është fenomeni meteorologjik “downburst” që fundosi “Bayesian” për 60 sekonda

24.08.2024 - 20:37

Ndërsa hetuesit po punojnë çdo ditë për të bashkuar të gjitha pjesët që çuan në fundosjen e jahtit Bayesian për 60 sekonda në Siçili, e që la pas 7 viktima, informacione të reja janë bërë të njohura lidhur me fenomenin meteorologjik që goditi varkën.

“Bayesian nuk u godit nga një tornado, por nga një shpërthim”, këtë deklaroi Raffaele Cammarano, zëvendësprokurori italian që po hetonte mbytjen e anijes.

Mediat italiane shkruajnë se shpërthime të tilla apo siç quhen ndryshe “downburst”, konsistojnë në shpërthime shumë të forta të erës nga lart poshtë duke prekur tokën pingul dhe duke u zgjeruar në të gjitha drejtimet, me lëvizje horizontale.

“Ky fenomen merr jetë kur ka një erë të fortë në zonë me bubullimë ose ka prani të reve të dendura (cumulonimbus)”, shkruajnë mediat italiane.

Këto rryma zbritëse kanë edhe dy karakteristika, përveç ashpërsisë së tyre, shpërthimet mund të arrijnë deri në 180 km/h, ato arrijnë të përhapen në të gjitha drejtimet sapo ka përplasje me tokën (në këtë rast sipërfaqen e detit). Ky fenomen është i paparashikueshëm dhe shpeshherë është konsideruar kërcënues për pilotët e avionëve gjatë uljes së tyre.

Shpërthimet mund të zgjasin disa sekonda ose të zgjasin deri në 20-30 minuta, në varësi të intensitetit të motit të keq në zonë. Ato burojnë nga diferenca e lartë e temperaturës midis reshjeve që ftohin një zonë shumë të butë (kontraste të forta termike) dhe pasi prekin sipërfaqen përhapen kudo me erëra shumë të forta.

Ky fenomen mund të vijë edhe nga retë e tjera përveç reve “cumulonimbus”, dhe kur sipërfaqja e detit është shumë e ngrohtë siç ndodh shpesh në këtë stinë. Në çdo rast, nga natyra ato nuk mund të kenë forcën e një shpërthimi dhe janë gjithashtu më pak të forta se vorbullat klasike që formohen në tokë për shkak të një paqëndrueshmërie më të madhe të ujit në krahasim me tokën.

Ditën e sotme detaje të reja u dhanë nga komandanti i zjarrfikësve të Palermos, Girolamo Bentivoglio, i cili në një konferencë për shtyp deklaroi se anija me vela u fundos nga pjesa e prapme dhe më pas u anua në anën e saj të djathtë, duke shkaktuar 7 viktima.