MENU
klinika

Mesazhet e shefit të CIA-s

Çfarë pritet pas vizitës së Burns në Kosovë?

23.08.2024 - 18:37

Vizita dyditore e shefit të CIA-s, William Burns, në Kosovë vlerësohet si shumë e rëndësishme në aspektin e sigurisë në kohën kur retorika e ashpër dhe tensionet janë rritur në rajon.

Megjithëse vlerësohet se mesazhet në Prishtinë janë të ndryshme nga ato në Beograd e Sarajevë, në qëllim kanë rikthimin e qetësisë në Ballkanin Perëndimor.

Selam Shkodra, ish-zv/ministër i Brendshëm, shprehet për A2 CNN: “Fakti që i njëjti, përkundër angazhimeve të tij të mëdha në konflikte botërore siç është konflikti i Lindjes së Mesme, ai i Ukrainës, ka gjetur kohë që të vizitojë rajonin dhe të çojë gjysmën e javës në rajon, lë të kuptohet se ka pasur informacione se diçka ka lëvizur keq në kuptimin e pasigurisë së rajonit”.

Nëse për liderët në Serbi e Bosnje do të kërkohet fundi i përpjekjeve për destabilizim, atëherë porosia për institucionet kosovare do të jetë kujdesi për veprimet, kryesisht në veri të vendit.

Valdet Hoxha, ish-zv/ministër i Brendshëm, deklaron: “Do të kërkohet mirëkuptimi për koordinim sa më të ngushtë për ndërmarrjen e disa veprimeve të cilat në të drejtën tonë kemi të drejtë t’i ushtrojmë, por ja që në praktikë shpesh e drejta dhe situata gjeopolitike nuk përputhen”.

Nga vizita e Burns në Prishtinë, por edhe në rajon, pritet që të ketë efekte pozitive në vazhdim, sidomos për Kosovën.

“Gjithsesi, që mund të shihet si një mbështetje për stabilitetin e rajonit dhe moslejimin e përshkallëzimit të situatës drejt një konflikti ku siç dihet botërisht nacionalizimi serb i prin, kjo është një mbështetje për shtetin e Kosovës, popullin e Kosovës dhe sigurinë e kufijve të Kosovës”, thekson Shkodra.

“Vizita e një niveli dhe një profili të tillë si shefi i CIA në Ballkan është shumë e rëndësishme, me rëndësi vendimtare dhe jam i bindur që nga kjo vizitë e tutje do të ketë një trajektore të re të zhvillimeve politike, diplomatike si dhe asaj në sferën e sigurisë, në kuptimin pozitiv gjithmonë”, nënvizon Hoxha.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, shefi i Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës u takua me Presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kreun e inteligjencës kosovare, Petrit Ajeti.