“Samiti i NATO-s do të mbahet në Tiranë në vitin 2027”. Kështu deklaroi vetë kryeministrin Edi Rama, në fjalën që mbajti në hapjen e konferencës “Tirana Diplo 2024”,që nisi dje punimet në Pallatin e Kongreseve, në praninë e ambasadorëve dhe Konsujve të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë. “Jetojmë sot në një kohë të shënjuar nga një transformim historik i Shqipërisë e kush thotë të kundërtën injoron faktet apo më keq akoma lufton me faktet si në planin e brendshëm atë të shtet ndërtimit demokratik.
Progresi i kësaj kohe është i dukshëm dhe I përshëndetur botërisht. Diplomacia jonë ka hyrë në një dinamikë të re dhe ka luajtur rol kyç në këtë kohë transformuese e duhen shtyrë edhe më tutje”, tha kryeministri Edi Rama në fjalën e hapjes së kësaj konference. Si provë që Shqipëria ka pësuar transformimin historik, falë dhe punës së ambasadorëve, janë dhe dy evente të rëndësishme ndërkombëtare të cilat sipas Ramës do të jetë organizatorja dhe mikpritësja. “Vitin e ardhshëm do të jemi vendi që do të mikëpresë liderët e 44 shteteve europiane nga Britania e Madhe në Ukrainë apo nga Suedia, Norvegjia deri në Turqi, vitin e ardhshëm në samitin e Komunitetit Politik Europian.
Po ashtu ky respekt, besim e prestigj dhe roli i një tjetër ambasadori që e sjell këtu si një shembull jo për ta veçuar nga të tjetër por të rinënvizuar sa e rëndësishme për ne është që të përfaqësohemi me volumin maksimal të ambicies e aftësisë për të qenë të respektueshëm, gjë që na jep mundësinë të jemi mikpritës të samitit të NATO-s në 2027. Gjëra që ju e dini më mirë se unë që as nuk mund të imagjinoheshin vite më parë. Që Shqipëria të bëhej një pikë referimi e ti besoheshin të tilla role.
Ndërkohë kemi pasur dhe kryesimin e OSBE-së,” nënvizoi Rama. Ai bëri publik dhe objektivin. Shqipëria duhet të jetë gati për tu ulur në tryezën e BE-së në 2030 dhe për këtë roli i ambasadorëve është tepër i rëndësishëm dhe duhet të ngjiten në një nivel të ri. “E dimë shumë mirë që 2030 duhet të na gjejë në gatishmëri të plotë për tu ulur në tryezën e BE-së si anëtarë të barabartë të familjes europiane.
Ne duhet të jemi gati. Është shumë më e lehtë të thuash e shumë më e vështirë ta bësh sepse kërkon që gjithçka që kemi bërë deri tani ta konsiderojmë një stad ku mund dhe duhet të ngjitemi në një nivel të ri. E për këtë arsye duhet me patjetër që trupi ynë diplomatik të ngjitet në një nivel të ri”, tha Rama.