MENU
klinika

Shpallen emrat e 12 drejtuesve politikë të qarqeve

Edi Rama thërret Asamblenë Kombëtare

27.08.2024 - 10:47

Shtatori do të nisë vrullshëm për qeverinë dhe Partinë Socialiste. Ndërsa na ndajnë edhe pak muaj nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, Rama pritet të nisë spastrimet në PS, duke bërë ndryshimet e para në nivel drejtues të qarkut. Thuajse të 12 qarqet do të jenë pjesë e ndryshimeve. Burime bëjnë me dije se këto ndryshime pritet të ndodhin më 4 shtator, ku Rama do të thërrasë Asamblenë Kombëtare. Në këtë takim gjithashtu se do të zgjidhet gjithë sekretariati i PS, duke nisur nga zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm.

ProfitSence Logo
Përveç takimit në Himarë më 28-29 Gusht ku do të marrin pjesë ministrat edhe kryebashkiakët, kreu i Partisë Socialiste do të mbledhë edhe në 1 shtator në Tiranë gjithë ministrat e qeverisë dhe figurat kryesore të Partisë Socialiste. Mbledhja e ministrave dhe figurave të larta të partisë është kthyer në traditë në PS në çdo nisje sesioni parlamentar. Në 1 shtator dy do të jenë pikat e diskutimit, e para një analizë e përgjithshme e punës së bërë nga qeveria dhe çdo ministri deri më sot, dhe objektivat që do të vendosë qeveria deri në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm.

Emrat që e kanë të sigurt vendin

Balluku do të lërë Dibrën për të drejtuar tashmë Fierin për zgjedhjet e vitit 2025. Nga ana tjetër, nuk dihet nëse Balla do të zhvendoset të drejtojë ndonjë qark, apo do të mjaftohet vetëm me emrin në listën e sigurt të deputetëve. Ndërkohë gazeta “SOT”, ka mësuar se Blendi Klosi që aktualisht është drejtues politik i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës ose mund të qëndrojë në këtë zonë, ose pritet t’i besohet Qarku i Tiranës, duke zëvendësuar Erion Veliajn. Ky i fundit nuk e ka më të sigurt nëse do të jetë drejtues politik, duke qenë se po hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), pasi dyshohet se është përfshirë në disa afera korruptive. Një tjetër skenar është që Tirana të ndahet në dy pjesë, ku qendrën e drejton Veliaj dhe rrethet i ngelen Blendi Klosit.

Nga ana tjetër, edhe drejtuesit e tjerë politikë të PS në 10 qarqet e tjera sipas burimeve nga brenda selisë rozë nuk e kanë të sigurt nëse do të mbajnë ato poste e ofiqe, sepse me prurjet e reja që ka bërë kryeministri Edi Rama në qeveri dhe parti, askush nuk e ka më vendin e sigurt, veçanërisht të vjetrit që kanë llogari të hapura me drejtësinë. Ndërkohë edhe Niko Peleshi duke qenë se ka punë me drejtësinë, pritet të largohet si drejtues politik i Partisë Socialiste në Korçë. Nga ana tjetër, Spiropali do t’ia lërë vendin e saj në Shkodër kryebashkiakut Benet Beci. Sakaq, Damian Gjiknuri që ka llogari të hapura me Prokurorinë e Posaçme, pritet të largohet si drejtues politik i Elbasanit.

Megjithatë të gjithë këto janë zëra korridoresh afër PS dhe mbetët të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodh më konkretisht, duke qenë se kryeministri Edi Rama është njeri i surprizave. Kujtojmë se propozimet për ndryshime të Edi Ramës para pak javësh i kanë lënë të habitur ministrat në detyrë, që nuk ishin në dijeni se do të kishte ndryshime, dhe analistët, që prisnin të dëgjonin arsyet prapa ndryshimeve të propozuara. Më 28 korrik, Rama hoqi Taulant Ballën nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme dhe vendosi që ai të marrë drejtimin e Ministrisë për Marrëdhëniet me Parlamentin. Në vendin që deri më tani ka mbajtur Balla u vendos Ervin Hoxha. Ndërkohë, u zëvendësua ministri i Financave, Ervin Mete, me Petrit Malajn, dhe zëvendësimi i ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, me Pirro Vëngun.

Balla dhe Mete kishin nga rreth një vit në kryesim të ministrive të Brendshme dhe të Financave. Largimi i tyre tregoi se askush në kabinetin qeveritar nuk është i sigurt. Rama solli ndryshime në kabinetin qeveritar edhe në shtator të vitit të kaluar, kur shkarkoi gjashtë ministra. Para shkarkimeve, ai kishte paralajmëruar një vetëreformim të Partisë Socialiste dhe të qeverisë së drejtuar prej tij.