Zv.Kryeministrja dhe Ministrja për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane e Republikës së Sllovenisë, Tanja Fajon në fjalën e saj në konferencën e përbashkët me homologun e saj Igli Hasani, deklaroi se vitin e ardhshëm në Durrës do të hapet konsullata sllovene.
Duke u ndalur te dëshira dhe nevoja për intensifikimin e marrëdhënieve Shqipëri-Slloveni, Fajon u shpreh se duhen krijuar lidhje ajrore mes dy vendeve në të ardhmen.
Ajo theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve është fokusuar në fusha të ndryshme, por fusha ekonomike zë vendin kryesor.
“Dy vendet kanë pasur marrëdhënie shumë të mira dhe kemi interes për të thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme: ekonomike që është fusha më e rëndësishme.
Zhvilluam bisedimet në lidhje me aspektet pozitive në bashkëpunimet tona. Sllovenia në veri dhe Shqipëria në jug të rajonit janë aleatë të ngushta. Do kemi bashkëpunime të mëtejshme në fushën e ekonomisë, shpreh gatishmërinë për të nënshkruar memorandume dhe protokolle të ardhshme. Memorandumi i mirëkuptimit për turizmin do nxisë bashkëpunim në këtë fushë.
Na duhet të krijojmë edhe lidhje të tjera ajrore në të ardhmen.
Në Durrës do kemi konsullatën tonë vitin e ardhshëm. Do u ofrojmë të gjithëve mundësi të tjera. Bashkëpunimi ynë është fokusuar në fusha të ndryshme”, u shpreh Fajon.
Kjo e fundit deklaroi se Sllovenia është pjesë e shumë projekteve zhvillimore në Shqipëri, ndërsa u ndal te asistenca teknike e ofruar ndaj Shqipërisë për integrimin europian.
Fajon garantoi se Sllovenia do jetë mbështetëse e sigurt e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Sllovenia, pjesë e shumë projekteve zhvillimore në Shqipëri. Kemi ofruar asistencë teknike për integrimin në BE. Shqipëria ka marrë 1.3 mln euro gjatë 5 viteve të fundit dhe jam e kënaqur që sot do kem mundësinë për të vizituar qendrën e teknologjisë dhe më tej laboratorët e posaçme që janë krijuar. Sllovenia është një mbështetëse e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe dëshirojmë t’iu shohim anëtare të BE-së.
Kemi shprehur miratimin për arritjet e deritanishme në zbatimin e gjithë kritereve.
Shpresoj që Shqipëria të ketë mundësinë për ta hapur grupin e parë dhe shpresojmë që në shtator të kemi përgjigje pozitive për parafinancimin e gjithë reformave të nevojshme.
Sllovenia, mbështetëse e sigurt për integrimin në BE, është nevojë strategjike për të pasur vendin tuaj në rajon. Shpresoj që BE të jetë gati për t’iu pritur maksimumi në 2030”, tha ajo, ndërsa shtoi se “Oficerët tanë punojnë në mjaft fusha të rëndësishme që lidhen me sigurinë e autoriteteve dhe kanë zhvilluar mjaft operacione të rëndësishme në kufirin me Greqinë”.