Shumë fermerë në Shqipëri po krijojnë ferma të vogla afër segmenteve të rrugëve kombëtare për të tregtuar prodhimet e tyre kryesisht për turistët vendas dhe të huaj. Sipas ekspertëve të ekonomisë sektori bujqësor dhe ai blegtoral vendas po e mbështesin këtë vit jo në nivelin e pritshëm sektorin turisitik për shkak se mbizotërojnë prodhimet e importit. Në një sipërfaqe prej gati pesë dynimësh në segmentin e rrugës së re Kardhiq – Delvinë, Bajram Duro ka ngritur një fermë të vogël për prodhimin e frutave dhe e perimeve ku gjatë gjithë ditës nuk rreshtin turistët. “Kur toka u nda pas përmbysjes së komunizmit nuk e merrte asnjë njeri se s’kishte ujë, e mora unë dhe është fati im tani” , thotë Bajrami.
“Kur u ndanë tokat nuk dilte asnjë ta merrte këtë tokë se i donin nën ujë që të vaditeshin. Këtu nuk kishte ujë. Edhe thashë do ta marr unë. Me një mendim që nëse do të dështoja në kultivimin e tokës me perimet kam pyllin përreth dhe do të merrja disa dele dhe dhi që ta ndihmoja familjen që të mos dilja fare i humbur. Megjithatë pata sukses, fati im dhe i familjes”, tregon ai për Zërin e Amerikës. Sipas ekspertëve të ekonomisë ndërsa prurjet turistike po rriten ndjeshëm në Shqipëri sektori vendas bujqësor dhe blegtoral nuk po e luan rolin e pritshëm në mbështetjen e këtij sektori. Kjo pasi prodhimet vendase të perimeve dhe frutave konkurrohen ndjeshëm nga importet.
Sipas të dhënave zyrtare importet e perimeve për 6 muajt e parë të këtij viti janë rritur me 43.5%, ndërsa importet e frutave janë rritur me 31.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Një problem tjetër thonë fermerët e vegjël është vështirësia e depërtimit në tregun vendas për shkak të kostove të transportit. Autoriteti i Konkurrencës në Shqipëri vuri nën hetim mesin e këtij vit dhjetëra grumbullues në disa rajone të mëdha të vendit si Tiranë, Elbasan dhe Fier pasi abuzuan me çmimet e fruta perimeve duke i shtrenjtuar deri në 100% krahasuar me çmimet që i merrnin prodhimet nga ferme.