MENU
klinika

“Për të ardhur keq mënyra se si u trajtua në…”

Incidenti në aeroportin e Shkupit, reagon Presidenca e Kosovës

06.08.2024 - 14:45

Presidenca e Kosovës ka reaguar sërish për incidentin e ndodhur në fillim të këtij muaji në aeroportin e Shkupit, ku pjesëtarë të sigurimit kanë tentuar t’i marrin telefonin presidentes Vjosa Osmani për ta vendosur në skaner.

Në reagimin e bërë nga presidenca, thuhet se raportet për incidentin e paprecedentë në Aeroportin e Shkupit të përgatitura nga Presidenca dhe Policia e Kosovës janë tashmë të finalizuara
“Nga këto raporte kuptohet qartë se nuk ka kërkesë për devijim ose anashkalim të rregullave, por përkundrazi, respektim dhe aplikim të konventave dhe të së drejtës ndërkombëtare zakonore, e mbi të gjitha, respekt për Republikën e Kosovës”, thuhet në reagim.

Më tutje, presidenca ka shprehur keqardhje se si është trajtuar incidenti nga konferenca që u mbajt ditën e hënë, nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës”, bëhet e ditur në njoftim.
Presidenca e Kosovës shton më tej se “vlerësojmë shprehjen e keqardhjes nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, për fat të keq deri tani në asnjë moment institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare zakonore në raport me Republikën e Kosovës, por perkundrazi, hapur e pa asnjë hezitim e kanë pranuar një shkelje të tillë”.
“Për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jorelevante para pranimit publik te institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare”.
Tutje, theksohet se “Presidenca e Republikës e ka trajtuar këtë incident vetëm në mënyrë ndërinstitucionale e pa e bërë publike, me qëllim të ruajtjes së raporteve ndërmjet dy shteteve, deri në momentin kur një propagandë e përmasave të papara ka filluar kundër Presidentes, me ç’rast Presidenca është detyruar t’i përgjigjet interesimit të shumtë të mediave”.
Në reagim tutje thuhet se presidentja Osmani ka kontribuar gjithmonë në zhvillimin e raporteve pozitive me Maqedoninë e Veriut.
“Siç është thënë edhe në reagimet e mëparshme, Presidentja Osmani përgjatë tërë karrierës së saj politike, e në veçanti përgjatë mandatit të saj si Presidente e vendit, ka kontribuuar në zhvillimin dhe thellimin e raporteve pozitive me Maqedoninë e Veriut. Mirëpo ajo nuk mund ta pranojë, në asnjë mënyrë, baltosjen e Republikës së Kosovës. Kjo situatë është lehtë e tejkalueshme nëse ekziston vullnet politik nga Shkupi zyrtar”, thuhet në reagimin e presidencës.
Presidenca po ashtu ka pohuar se presidentja e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk ka kërkuar tejkalim apo shkelje të procedurave, por respektim të rregullave ndërkombëtare, siç bëhet në të gjithë botën.
“Lista e shteteve të cilat i ka vizituar Presidentja Osmani gjatë mandatit të saj si Presidente përfshinë SHBA-të, Shqipërinë, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Italinë, Austrinë, Belgjikën, Bullgarinë, Çekinë, Finlandën, Kanadanë, Kosta Rikën, Kroacinë, Danimarkën, El Salvadorin, Estoninë, Francën, Greqinë, Islandën, Japoninë, Lituaninë, Luksemburgun, Maltën, Moldavinë, Malin e Zi, Panamanë, Portugalinë, Katarin, Singaporin, Slloveninë, Spanjën, Zvicrën, Tajlandën, Tunizinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Vatikanin, etj. Të gjitha këto shtete, shumicën prej të cilave i ka vizituar disa herë gjatë mandatit, pa përjashtim, i kanë respektuar në plotni rregullat ndërkombëtare sa i përket trajtimit të kreut të shtetit, rrjedhimisht edhe të vet shtetit”, vijon reagimi.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidentja e vendit përfaqëson shtetin brenda dhe jashtë.
“Pavarësisht rregullave jashtëzakonisht strikte të sigurisë në aeroportet e shumicës dërrmuese të shteteve të lartpërmendura, ata e pranojnë Presidentin e një shteti si përfaqësuesin më të lartë të shtetit dhe kurrë nuk kërkojnë skanimin as të çantës personale e lëre më të telefonit, e aq më pak të kërkohet ‘full body scan’, sepse kjo, në mes tjerash, do të nënkuptonte se janë duke e trajtuar shefin e shtetit – rrjedhimisht shtetin – si rrezik potencial për terrorizëm”.
Presidenca shton mes tjerash se “në çdo vend ku udhëtojmë, nuk është Presidentja që e kërkon një trajtim të tillë”.
“Ky trajtim ofrohet automatikisht nga shtetet pritëse bazuar në njoftimin që bëhet nga ambasadat tona për udhëtimin e Presidentes dhe bazuar në të drejtën ndërkombëtare zakonore (e detyrueshme për të gjitha shtetet). Siç shihet nga lista e lartpërmendur, kjo është respektuar në tërësi edhe nga shtete që akoma nuk e kanë njohur Kosovën. Se kjo procedurë respektohet çdoherë e çdokund, Presidentja Osmani e ka konfirmuar edhe me homologë të saj me të cilët ka biseduar këto ditë.
Presidentja e Republikës së Kosovës kërkon respekt për shtetin që përfaqëson, pra Republikën e Kosovës dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë me ngulm në përputhje me rregullat e parimet ndërkombëtare që rregullojnë raportet ndërmjet shteteve”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mickoski: Herën tjetër do ta pres vetë Osmanin

Incidenti në aeroportin e Shkupit, Kurti: Të zbardhet ngjarja!