Një 34-vjeçar humbi jetën ditën e sotme, pasi u qëllua disa herë me thikë. Ai u identifikua si Amarildo Hoxhallari, 34-vjeç. Shkak u bë një sherr me 25-vjeçarin, Darmend Keli. Dyshohet se Hoxhallari një ditë më parë i kishte ngacmuar të fejuarën të riut. Por 34-vjeçari është një emër i njohur për drejtësinë.
9 vite më parë, më saktë në janar të 2015 ai u arrestua, pasi u akuzua si i përfshirë në atentatin ku u plagosën Pajtim Serjani (mik i Emiljano Shullazit) dhe polici Roland Meta. Teksa u vra personi i cilësuar nga policia si vrasës me pagesë Arjanit Sterjo (ose Artur Baze).
Amarildo Hoxhallari në atë kohë 24-vjeç, u arrestua bashkë me kushëririn e tij Aurel Hoxhallari, tre ditë nga atentati mafioz, ndërkohë që në asnjë moment nuk e kanë pranuar akuzën e ngritur nga policia.
Dy kushërinjtë Hoxhallari u akuzuan si personat që kishin organizuar atentatin ndaj Pajtim Serjanit. Serjani u qëllua me pistoletë nga Artur Baze. Atentatori u vra nga polici Roland Meta, që gjendej në një tavolinë me Pajtim Serjanin. Edhe polici u plagos.
Në momentin e arrestimit të kushërinjve Hoxhallari, burime të policisë thanë se ekzistonin prova se ishin ata organizatorët. Policia deklaroi se kishte përgjime telefonike dhe pamje filmike të njërit prej kushërinjve me atentatorin, pamje këto të regjistruara nga kamera e sigurisë së një biznesi privat, ku ai shfaqej me Artur Bazen në rrugën e Kavajës, pak minuta para ngjarjes.
Dy kushërinjtë i patën mohuar akuzat dhe gjatë shoqërimit në dhomat e paraburgimit thanë para kamerave të disa televizioneve, se nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen.
Të njëjtin qendrim ata kanë mbajtur edhe në seancën e 1 shkurtit 2015 kur Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi t’i lërë të lirë, pasi prokuroria nuk paraqiti prova bindëse. Po të njëjtën mbrëmje ndodhi një atentat ndaj Emiljano Shullazit e Gilmando Danit.