MENU
klinika

Nga i hetuar për kultivim droge, në krye të Antidrogës së Durrësit

Kush është Gazmir Preçi , që i vuri 20 mijë euro “gjobë” pronarit të klubit të natës

17.08.2024 - 08:47

Mbrëmjen e së enjtes u vu në pranga shefi i Antidrogës së Policisë së Durrësit, i cili rezulton të jetë me gradën e kryekomisarit.

E jo vetëm aq, por i prangosuri me urdhër të SPAK është hetuar sipas prokurorisë, edhe 3 vjet më parë pikërisht për lejim të parcelave me kanabis. Aso kohe, Gazmir Preçi ishte me shërbim në Mallakastër, ndërsa më pas u ngrit në detyrë dhe u bë shef i sektorit të Antitrafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Durrësit.

Edhe pse Prokuroria e Posaçme ende nuk ka dhënë detaje në lidhje me hetimin, ndërkohë që ditën e sotme pritet të dalë për masë sigurimi në gjykatë. Preçi, sipas policisë, ka shpërdoruar detyrën. Ai kërcënoi me vënie gjobe pronarin e një lokali nate në afërsi të Urës së Dajlanit në Durrës, duke i kërkuar 20 mijë euro, thotë AMP, agjencia që mbikëqyr dhe heton policinë.

Ndonëse ende nuk dihet se cili është motivi i asaj gjobëvënieje që, sipas AMPsë, Preçi e ka kërcënuar me mbyllje aktiviteti pronarin e klubit të natës. Për arrestimin, reagoi edhe ministri i Brendshëm, ku për herë të parë u shfaq me një deklaratë ditën e djeshme, teksa tha se do të ndëshkohen të gjithë policët që janë ‘padronë’!

HETIMI NË VITIN 2021

Tre vjet më parë, Gazmir Preçi, i cili atëherë mbante postin e shefit të Krimeve në Policinë e Mallakastrës u arrestua së bashku me 4 zyrtarë të tjerë të Policisë së Fierit, në kuadër të një hetimi për lejimin e kultivimit të kanabisit në afërsi të Urës së lumit Vjosë, në Poçem të Mallakastrës. Preçi u vu në hetim për “Shpërdorim detyre” për lejimin e kultivimit të kanabisit.

Sipas dosjes, në afërsi të Urës së lumit Vjosë, në Poçem të Mallakastrës, u evidentuan disa parcela të kultivuara me bimë narkotike. Në dosjen që u referua atëherë punonjësit e policisë ishin në hetim për shpërdorim detyre gjatë periudhës qershor-shtator 2021 duke lejuar, apo favorizuar veprimtarinë kriminale të disa shtetasve të arrestuar më parë nga Prokuroria e Rrethit Fier për kultivim të bimëve narkotike. Ndaj tij dhe 2 punonjësve të tjerë të policisë gjykata e Fierit vendosi masën e sigurisë “detyrim me paraqitje”.

E pikërisht dyshimet dhe problematikat në Mallakastër jo shumë vite më parë, nuk ndikuan që Gazmir Preçi të ngjitej në karrierë, duke “u shpërblyer” me post si shef i Antidrogës në Durrës. Hetimet u bënë në bashkëpunim në me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore fill pas denoncimit të pronarit të lokalit “Night”, një klub nate te Ura e Dajlanit.

Sipas denoncimit të tij, shefi i Antidrogës e kërcënonte se do i mbyllte biznesin me pretendimin se kishte të punësuar disa persona të pasiguruar, çka nuk është në kompetencën e tij për ta kontrolluar. Shuma prej 10 mijë eurosh u mor në një takim nën vëzhgimin e hetuesve mes pronarit të lokalit dhe Gazmir Preçit në një lagje të Tiranës, i cili ra në grackën e kolegëve sapo mori një pjesë të parave. Kryekomisari akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv”.

Në një reagim ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, tha se operacioni ishte mesazhi është i qartë për policët që hiqen si padronë të qytetarëve dhe bizneseve. Ata do marrin ndëshkimin më të ashpër ligjor!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Kam vetëm 10 mijë euro, takohemi në Kinostudio”

Si ra në kurth shefi i Antidrogës së Durrësit