Detaje të reja kanë dalë nga organizata kriminale e vëllezërve Hajdar dhe Franc Çopja në Elbasan. Mësohet se ‘truri’ financiar dhe personi që pastronte milionat e fituara nga të ardhurat krimianale ishte Maklen Mici.
Ndaj Micit është firmosur urdhër arrest me kërkesë të SPAK, pasi janë siguruar të dhëna që ka trasferuar përmes exchange që ndodhet në afërsi të Bankës së Shqipërisë miliona euro të klanit kriminal. Theksohet se një pjesë e parave janë investuar në ndërtim dhe në pasuri të paluajtshme.
Vëllezërit Franc e Hajdar Copja, i pari i ekstraduar në Belgjikë dhe i dyti në Dubai, akuzohen se kanë urdhëruar dhe financuar 6 vrasje familjarë të kundërshtarit të tyre të përbetuar Erjon Alibej i njohur si Krymi, si dhe kanë planifikuar dhjetëra atentate të tjera.
Përplasja mes Copjave dhe Alibejve, nisi për shkak të prishjes së pazareve në trafikun e kokainës. Klani kriminal Copja dyshohet se zotëron pasuri miliona euro, një pjesë e të cilave janë sekuestruar. Ndërsa gjatë aksionit të SPAK, u sekuestrua 1 milionë euro cash.