MENU
klinika

Nga Ilir Yzeiri

Liria e shtypit dhe opinionet

19.08.2024 - 19:43

Ka një diskutim të gjerë, në kuptimin që ky diskutim ka përfshirë të dyja anët e kufijve shtetërorë, Shqipërisë e Kosovës, mbi atë që po ndodh në Prishtinë, ku, siç dihet, RTK-ja, Televizioni Publik i asaj Republike ka artikuluar një shpifje të rëndë ndaj dy gazetarëve të njohur në Prishtinë dhe, pas kësaj, opinioni gazetaresk ka lëvizur. Drejtuesit e bordit të RTK-së i kanë kërkuar A. Krastës që, sipas asaj që thuhet në Prishtinë, bën punën e shefit politik të informacionit (zv/drejtor i përgjithshëm), që ta përgënjeshtrojë atë lajm, por kjo nuk ka ndodhur dhe, në këmbim të kësaj, drejtuesi i Bordit të RTK-së dhe gazetarja e njohur Arta Berisha kanë dhënë dorëheqjen. Kaq ka mjaftuar dhe në media po qarkullon edhe një herë tema e nxehtë e së drejtës për informim, e paanshmërisë, e përdorimit politik të saj, e lirisë së fjalës dhe të shprehjes, e gjithë të tjerat që lidhen me këtë pushtet të jetës demokratike. Ndonjë koleg është shtyrë edhe më tej dhe ka bërë paralele mes së drejtës së informimit apo lirisë dhe përdorimit të mediave në Shqipëri dhe asaj në Kosovë dhe ka prej atyre që mendojnë se nën « regjimin e Edi Ramës » kjo « liri », ky debat dhe ky « integritet » nuk mund të ndodhë.

Nuk kam ndërmend të polemizoj me askënd, por dua të bëj një sqarim duke u nisur edhe nga profesioni im, që më ka detyruar për një kohë të gjatë që të merrem me teoritë e komunikimit. Pati edhe një rast tjetër, këtë radhë në Shqipëri. E kam fjalën për vrasjen e Eglit në Pogradec, por, nëse doni, mund të trajtoj edhe rastin e inceneratorëve apo ndonjë tjetër. Pyetja ime është kjo: në cilin rast qeveria ka ndërhyrë që të mos publikohet apo të publikohen shpifje për një kundërshtar politik apo për të deformuar një aferë të ashtuquajtur korruptive? Marrim rastin e vrasjes në Pogradec. Media i nxori sytë qeverisë, policisë dhe botoi gjithçka për atë rast derisa i bëri të gjitha institucionet të përplasen me njëra-tjetrën. Ndërhyri edhe Edi Rama, por, siç e ka zakon ai, në të tilla debate, më shumë përfshihet si analist, sesa si shtetar.

Megjithatë, një organizatë e nderuar gazetarësh botoi një notë kundër tij pse ai tha që media e baltosi punën e qeverisë. Dhe nuk është çudi që kjo notë të shërbejë për të na ulur ndonjë vend në rankimin e atyre shoqatave që mbledhin thashethemet e Ballkanit për të klasifikuar lirinë e medias. (Kujtoni në një rast që media e Orbanit në Hungari, ishte më e lirë se ajo në Shqipëri, sipas këtyre organizatave dembele). Le të marrim rastin e inceneratorëve. Në cilin rast qeveria apo Edi Rama ka ndërhyrë që të mos publikohet një informacion apo të fshihet ai? Media, dhe sidomos detashmentet agresive anti-Rama, nuk kanë lënë gjë pa shpifur e pa botuar. Si mund të thuash që këtu media nuk është e lirë? Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë bërë thirrje deri edhe për dhunë të armatosur dhe askush nga ata që monitorojnë shkeljet ndaj medias në Tiranë, nuk ka thënë gjysmë fjale. Liria e fjalës, liria e shprehjes dhe mbarëvajtja e një medieje matet, në radhë të parë, me sistemin ligjor që e rregullon atë. Shqipëria është vendi kampion në Europë e Ballkan për aksesin në internet. Edhe në një kafe në Radomirë të Dibrës ti ke akses. Nuk ka asnjë paragjykim dhe asnjë diskriminim.

Vetëm në Shqipëri ndodh që televizioni privat i familjes Berisha, që bën hapur politikë anti-qeveri herë me lajme e herë me perceptim, vijon të funksionojë megjithëse shkeljet financiare janë raportuar në prokurori. Nëse do të kishim një qeveri tjetër, fjala vjen Berishën e parë, që nuk lejoi asnjë televizion privat, që dogji gazetën “Koha Jonë”, që vrau e rrahu për vdekje gazetarë dhe Berishën e dytë që donte të shkatërronte TOP Chanelin dhe që hodhi në erë makinën e Mero Bazes poshtë apartamentit të tij, e mendoni se çfarë mund të kishte bërë me një televizion privat të Edi Ramës? Kush mund të më thotë se në cilin rast është përdorur politikisht RTSH-ja shqiptare kundër opozitës? Ka ndodhur e kundërta. Ish-zëdhënësja e Berishës sot gazetare dhe drejuese e nje programi politik në RTSH, ditën kur ai shpallet non grata, e merr në intervistë në RTSH dhe e transmeton në kanalin e parë dhe me pyetje që të këpusin shpirtin nga dhimbja që ajo ndien për atë që e quan ende lider dhe në asnjë rast nuk e thërret ashtu siç është: person “non grata”.

Ndërsa kultura për të sulmuar ata që mendojnë ndryshe nga ati shpirtëror, po, kjo kulturë është importuar nga Shqipëria në Prishtinë. A. Krasta në këtë rast ka dërguar atje formatin e medias ku ai punon, që është televizioni i familjes Berisha. Të vësh në dispozicion median për oreksin e Albin Kurtit, kjo është një gjë e rëndomtë që bëhet në televizionin ku punon Krasta. Vetëm se në këtë rast ai nuk e ndau mirë se është tjetër gjë televizioni privat dhe tjetër gjë televizioni publik. I njëjtë është vetëm shërbimi. Dhe opinioni. Ndaj ajo që ka ndodhur në Kosovë, jo vetëm që nuk ka lidhje me Shqipërinë, por është një ves i keq që vjen nga euforia që ka opinioni anti-Ramë në Shqipëri. Me qenë se në këtë vend mund të thuash çfarë të duash kundër atij që urren shefi i madh politik, atëherë edhe në Kosovë nuk ka përse të jetë ndryshe.

Mirëpo doli që atje vërtet është pak më ndryshe, në kuptimin që televizioni publik nuk mund të tolerojë askënd që ta përdorë atë si syrin e partisë që vigjilon mos Albinin po na e shan Berati. Problemi i informacionit dhe opinionit jo vetëm që nuk respektohet në Shqipëri, por tani opinionistët politikë të Foltores shfaqen si burim informacioni dhe ti e ke të vështirë të marrësh pjesë në një bisedë televizive se moderatorja të thotë që sipas Berishës apo sipas Nokës bota do përmbyset nesër. Ti si mendon? Mediat shqiptare kanë problem jo presionin, por shthurjen dhe mungesën e etikës profesionale. Të gjithë tregojnë jetën në këtë vend sikur të jenë në një kafe fshati ku lajmi mezi vjen sepse aty askush nuk lexon, askush nuk sheh një statistikë apo të dhënë dhe të gjithë lakojnë vetëm çfarë tha Noka e Berisha dhe tani në fund edhe Meta nga ndonjë majë mali. Demokracia në këtë vend po konceptohet si një klishe banale dhe e rrezikshme. Opozita edhe atëherë kur është e njollosur me krime, edhe atëherë kur është shpallur si përgjegjëse për shkatërrimin e frymës opozitare nga gjysma e më shumë mbështetësve të saj, përfillet ende si e tillë sepse, sipas një klisheje, opozita nuk ka faj, se nuk ka pushtet. A mund të më thotë njeri se ku është degdisur ish-presidenti i Brazilit Jair Bolsanaro, ku ndodhet Gruevski apo Sarkozi?

Ndërsa Sali Berisha ynë rri majë dritares dhe lëshon akuza monstruoze mbi një institucion që ka përkrahjen më të madhe të shqiptarëve dhe të partnerëve tanë. Fjalori i tij i padëgjuar më parë dhe guximi i tij për të nxjerrë nga goja çfarë i thotë mendja e sëmurë, nuk besoj se vijnë ngaqë Edi Rama u ka mbyllur gojën mediave apo opozitës. Përkundrazi, Edi Rama me sjelljen e tij të paanshme dhe mendjemadhe deridiku e shpërfill opozitën, por nuk përdor asnjë mekanizëm juridik për t’i mbyllur gojën asaj dhe medias. Shqipëria ka arritur standarde të lakmueshme në zhvillimin e saj demokratik. Unë bëj pjesë te ata që dua të them se ky vend po përmirësohet dhe po bëhet një demokraci funksionale. Defektet vijnë nga shumë anë dhe shumë drejtime, por është fat që kjo qeveri nuk përdor asnjë prerogativë juridike që të frenojë lirinë e medias, lirinë e shprehjes dhe lirinë e opozitës. Kësaj të fundit i ka lejuar aq shumë liri, sa ajo nuk ka ç’të bëjë tjetër, por, siç thoshte Fuko, të arrijë në fazën e çmendurisë, atje ku fjala nuk kontrollohet nga asnjë filtër.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN