Serbia i kërkon ndihmë Rusisë për Kosovën, veçanërisht në lidhje me hapjen e urës së Ibrit. Presidenti Aleksandër Vuçiç takoi në Beograd ambasadorin e Moskës, Aleksandër Boçan Kharçenko.
Ai njofton përmes Instagramit se pati një bisedë të hapur dhe sinqertë me diplomatin e Putinit për tema me interes për Serbinë dhe Rusinë, si dhe qëndrimet e Beogradit në lidhje me trendet aktuale gjeopolitike globale.
“Temë e veçantë e diskutimit ishte situata në Kosovë. Shpreha shqetësimin e thellë për pasojat e mundshme të hapjes me forcë të urës në Ibër, si dhe për aktivitetet e tjera të planifikuara të regjimit të Prishtinës, të drejtuara kundër popullit serb në Kosovë. Përsërita mirënjohjen time për Rusinë për mbështetjen e vazhdueshme diplomatike për Rezolutën 1244, si garancia e vetme ndërkombëtare për mbijetesën e serbëve në Kosovë”, tha Vuçiç.
Për çështjen e urës së Ibrit ka folur edhe ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriç. Për mediat në Beograd tha se me hapjen e saj, Kosova po bën përpjekje kundër dialogut dhe fuqive të mëdha duke larguar atë që e konsideroi “një mburojë simbolike dhe reale të sigurisë dhe mbrojtjes së serbëve”.
Ai shtoi se Serbia pret që KFOR-I dhe vendet e QUINT-it të ngrihen për mbrojtjen e popullit serb. Ndërkohë, janë konfirmuar datat e vizitës së presidentit të Francës në Beograd.
Emmanuel Macron qëndron në Serbi më 29 dhe 30 gusht, ndërsa arsyeja e vizitës nuk është bërë e ditur. Vuçiç pret lajme nga Macron për avionët e luftës Rafal, ndërsa siç bën zakonisht do të ankohet për atë që e konsideron “kërcënim të jetës së serbëve në Kosovë”.