MENU
klinika

Rama thërret ministrat në punë

Më 28-29 gusht analiza e Qeverisë, Parlamentit dhe bashkive

14.08.2024 - 14:42

Teksa janë duket shijuar pushimet këto ditë të nxehta gushti, ministrat do të duhet edhe të punojnë për të shkuar të përgatitur para Kryeministrit përpara se të rikthehen në zyrat e tyre në shtator. A2CNN ka mësuar nga burime pranë qeverisë se Edi Rama i ka njoftuar vartësit e tij që me 28 dhe 29 gusht do të duhet të jenë të pranishëm për retreat-in para sezoni të ri politik.

Ministrat kanë marrë detyrën që në fund të muajit të çojnë në tryezën e kryeministrit analizën e punëve të kryera dhe objektivat e reja përpara vitit zgjedhor. Si gjithmonë, ndërsa ka përcaktuar datat e retreat-it, Rama ka lënë edhe një surprizë për anëtarët e kabinetit, duke mos zbuluar ende vendin e takimit.

Ajo që dihet është se formati i këtij retreat-i veror do të jetë i ngjashëm me atë të Lezhës në janar të këtij viti. Edi Rama do të bëjë bashkë jo vetëm ministrat e zyrtarët e tjerë të lartë të ministrive, por edhe drejtuesit e komisioneve parlamentare, në ato që quhen grupet e punës për çdo sektor ku gjenerohen ide dhe vendosen objektiva për tu realizuar.

Gjithashtu A2 CNN ka mësuar se risia e kësaj radhe mund të jetë edhe pjesëmarrja e kryebashkiakëve, ku ata pritet të mësojnë edhe formulën e re të shpërndarjes së buxhetit të shtetit për pushtetin vendor.

Turizmi pritet të marrë vëmendjen kryesore, ku veç atyre që konsiderohen suksese vëmendje do të marrin edhe problematikat të cilat kanë nisur të evidentohen gjatë muajve të verës, një nga të cilat është edhe ndotja e bregdetit.

Rama pritet të kërkojë rezultate për luftë antikorrupsion dhe për atë që është quajtur superkomisioni “Xhafaj”, një nisëm e iniciuar 8 muaj më parë në retreat-in e Lezhës.

Nga reflektimi mbi “gabimet” e socialistëve në 6 muajt e parë të këtij viti, kryeministri do të ndërtojë edhe platformën e re qeveritare nëpërmjet investimeve në sektorë të ndryshëm dhe platformën elektorale me objektivin e qartë të tij, mandatin e katërt qeverisës.