Digjitalizimi nuk arrin të mposht traditën sa i përket mënyrës sesi shqiptarët paguajnë mallra apo shërbime të caktuara. Përpos përpjekjeve për të rritur pagesat elektronike apo përdorimit të kartave bankare deri në muajin korrik jashtë bankave kanë qarkulluar 402.6 miliardë lekë.
Në fund të korrikut, jashtë bankave qarkullonin 402.6 miliardë lekë, nga 398.2 miliardë lekë që ishte në korrik 2023, duke u rritur me afro 4.4 miliardë lekë, raporton A2 CNN.
Në raport me totalin e parasë që qarkullon në ekonominë shqiptare e cila përllogaritet në 1.71 trilionë lekë, paraja informale përbën më shumë se 23.5% për qind të totalit.
Për të kuptuar shkallën e lartë të parave jashtë bankave, mjafton të themi se në vendet e Bashkimit Europiane ky tregues nuk e kalon nivelin 9%.
Për të reduktuar paranë cash qeveria mori si nismë ligjin për llogaritë bazike ku të gjithë pensionistët duhet të kenë një llogari bankare për të marrë pensionin. Ndërsa një sugjerim I Komisionit Europian për këtë reduktimin e fenomenit ishte dhe caktimi i një limiti për pagesat me para në dorë. Teksa për bizneset ekziston deri në 150 mijë lekë.
Problemin e rritjes së përdorimit të parasë cash banka qendrore e ngre si shqetësim këtë fenomen edhe në raportin e saj vjetor.
Sipas Bankës së Shqipërisë përdorimi i parasë fizike mbetet një fenomen mbizotërues për ekonominë shqiptare i cili ka kosto të lartë për të . Teksa sugjeron se janë rritur pagesat elektronike, banka thekson bashkëpunimin ndërmjet institucioneve për të ulur përdorimin e parasë fizike.
Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se sasia e lartë e parasë jashtë kontrollit të bankave është rrezik potencial i pastrimit të parave dhe arsyeja kryesore e deformimeve në kursin e këmbimit.