Krahasuar me vitin 2019 (viti para pandemisë) janë dyfishuar hyrjet e personave me pasaporta të huaja në Shqipëri dhe pothuaj janë dyfishuar hyrjet automjeteve me targa të huaja. Ndërkohë janë shtuar pothuaj 30% automjetet në qarkullim me targa shqiptare.
Po numri i punonjësve të Policisë së Shteti sa është rritur gjatë kësaj periudhe? Pothuaj zero! Po numri i motoçikletave dhe automjeteve të policisë sa është rritur? Pothuaj zero! Po numri i aparaturave teknologjike monitoruese-parandaluese të policisë sa është rritur? Pothuaj zero!
Pra, Policisë së Shtetit i duhet të përballojë një fluks shumë më të madh pune, me të njëjtin numër punonjësis, mejtesh dhe aparaturash teknologjike. Dhe ky problem bëhet shumë i mprehtë për të, sidomos gjatë sezonit veror.
Deri më sot, ky problem është zgjidhur me arrnime të tipit “punë jashtë orarit për gjithë policinë gjatë muajve të verës”. Por ky është një problem që do një zgjidhje afatgjatë.
Teksa pritet që, nga viti në vit, të rritet numri i hyrjeve të personave me pasaporta të huaja në Shqipëri, numri i hyrjet të automjeteve me targa të huaja, dhe numri i automjeteve në qarkullim me targa shqiptare, duhet planifikuar sa më shpejt rritja e numrit të punonjësve të policisë, si dhe të mjeteve dhe aparaturave në dispozicion të tyre.
Në fakt, nga viti në vit, deri më sot, është ulur numri i vdekjeve nga krimet dhe aksidentet rrugore.
Por kjo ulje është realizuar me një polici të mbingarkuar deri në mbilodhje. Është koha të mendohet seriozisht për rritjen e trupës policore dhe për pajisjen e saj me më shumë mjete dhe teknologji.
SHËNIM: Si një masë tranzitore për muajt e verës, mund të konsiderohet edhe përfshirja e disa forcave të ushtrisë në ndihmë të patrullave të policisë.