MENU
klinika

Arkitektura e veçantë

Qyteti i shkatërruar nga tërmetet, po rindërtohet për t’i bërë ballë çdo fatkeqësie natyrore

28.08.2024 - 18:46

Më shumë se 50 000 njerëz vdiqën dhe miliona të tjerë u zhvendosën kur dy tërmete me magnitudë 7.8 dhe 7.5 goditën rajonin jugor të Turqisë dhe Sirisë veriore, më 6 shkurt të vitit të kaluar. Kombet e Bashkuara e vlerësojnë koston e rindërtimit për rajonin në më shumë se 100 miliardë dollarë.

Qyteti i Antakias, kryeqyteti i provincës Hatay, ishte një nga më të goditurit në Turqi, me pothuajse 80% të ndërtesave që thuhet se janë dëmtuar plotësisht. Ishte një shkatërrim përtej imagjinatës, sipas Nicola Scaranaro i Foster + Partners, firma arkitekturore që muajin e kaluar publikoi masterplanin e saj jo vetëm për të rindërtuar dhe rigjallëruar qytetin, por për ta bërë atë një vend të sigurt ndaj tërmeteve, përmbytjeve dhe fatkeqësive të tjera natyrore.

Qyteti është i ngritur pranë malit Habib Neccar në luginën e lumit Asi dhe afërsia e tij me lumin do të thotë se ndikimi shkatërrues i tërmeteve përkeqësohet nga një fenomen i quajtur lëngëzimi i tokës, që e bën tokën të humbasë ngurtësinë e saj.

Arkitektura dhe dizajni i rrugëve të këtij qyteti të rindërtuar do të veprojnë si linja e parë e mbrojtjes kundër ndikimit të tërmetit, duke përfshirë ndërtesa kompakte që mund të përballen më mirë me aktivitetin sizmik sesa strukturat e mëdha dhe të gjata.

“Superblloqet” e lagjeve, të frymëzuara nga ata në Barcelonë, do të lënë hapësirë për shërbimet e urgjencës, ashtu si dhe për evakuimin e banorëve. Hapësirat e gjelbra mund të luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen kundër përmbytjeve.