Kryeministri Edi Rama këtë fundjavë do të jetë në Çeki, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Liderëve Evropianë në kuadër të punimeve të forumit GLOBSEC.
Mësohet se kreu i qeverisë do të udhëtojë këtë të premte, 30 gusht, drejt Pragës. Rama pritet që të ketë takime me liderët evropianë, raporton News24.
Në fokus do të jetë procesi i integrimit të Shqipërisë në BE dhe nisja nga shqyrtimi i grup kapitujve të anëtarësimit.
Ndërsa kemi disa vite që procesi ynë integrues është i lidhur me Maqedoninë e Veriut, pritshmëritë janë që në vjeshtë kjo gjë të ndryshojë. Procesi integrues i Maqedonisë së Veriut ka mbetur peng i problemeve me Bullgarinë, pasi Shkupi ende nuk e ka ndryshuar Kushtetutën e tij për të reflektuar kërkesat e vendosura prej saj.
Forumi GLOBSEC, diskutime për agresionin rus dhe rolin e NATO-s
Ky është edicioni i 19-të i forumit GLOBSEC, i cili do të zgjasë për tri ditë nga 30 gushti deri më 1 shtator të vitit 2024. Forumi GLOBSEC synon të theksojë rëndësinë e rritjes së ruajtjes së stabilitetit global. Forumi GLOBSEC do të mbledhë liderë nga qeveritë, bizneset, akademitë dhe OJQ-të për të hartuar strategji për të trajtuar një mori sfidash me të cilat përballet bota aktualisht siç janë agresioni i hapur ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës fqinje dhe tensionet e vazhdueshme në Detin e Kinës Jugore.
Diskutime do të ketë edhe sa i takon angazhimit çek për rritjen e pozitës parandaluese dhe mbrojtëse të Europës. Forumi do të analizojë rolin e NATO-s në fuqizimin e partnerëve, si Ukraina, si dhe aktorëve të tjerë të cenueshëm në fqinjësinë e Evropës përballë sfidave të sigurisë në zhvillim.