Gjatë forumit të sigurisë GLOBSEC 2024, i cili po zhvillohet në Pragë të Çekisë, Kryeministri Rama mori pjesë në një bisedë me temë “Rajoni nën rrethim: Brishtësia e Ballkanit Perëndimor”.
Teksa foli për çështje të rajonit të Ballkanin Perëndimor, ai theksoi se u desh lufta në Ukrainë që BE-ja të kuptonte rëndësinë e rajonit tonë.
“Duhet të përgëzoj Putinin pasi falë tij, BE e kuptoi se sa e rëndësishme ishte ta mbante më pranë Ballkanin Perëndimor dhe sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për BE. Është diçka fatkeqe që na duhej Vladimiri për ta bërë të qartë këtë në mënyrën më të vështirë e më kriminale”, tha Rama shkruan A2 CNN.
Më tej, kryeministri shqiptar tha se para nisjes së luftës në Ukrainë, disa në BE i kishin bërë moto disa shprehje se, “e ardhmja është në BE”, njësoj si komunistët, shtoi ai.
“Kishte shumë njerëz në Union që nuk besonin. Në mënyrë të përsëritur, ata e thonin si moto që Ballkani Perëndimor duhet të jetë në BE, një ditë do të jeni në BE, duke e bërë njësoj si komunistët njëherë e një kohë, që na thoshin se vendi ynë është në parajsën tokësore, horizonti ynë është atje, një ditë do të mbërrijmë. Realiteti goditi fortë. Lufta në Ukrainë tronditi tërësisht status quonë dhe BE nisi të ndërgjegjësohej gjithmonë e më shumë sesa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për sigurinë e Europës”, u shpreh Rama.