MENU
klinika

Është konsideruar si prioritet i nivelit “A”

Sa pritet të kushtojë zgjerimi i rrugës së Kombit nga Miloti në Rrëshen

23.08.2024 - 17:58

Rreth 25 kilometra, pjesë së rrugës së Kombit nga Miloti në Rrëshen janë me dy kalime dhe përveç kufizimit të shpejtësisë është bërë shpesh burim aksidentesh.

Dublimi i këtij segmenti dhe sjellja në parametrat e pjesës tjetër është konsideruar si prioritet i nivelit “A” nga qeveria shqiptare në listën unike të projekteve që do të financohen nga buxheti gjatë periudhës 2025-2027.

Sipas listës unike të projekteve dublimi i Milot- Rrëshen do të kushtojë 60 milionë euro, vlerë kjo e pa-rishikuar pasi kjo kosto është kalkuluar që në vitin 2006 kur nisën punimet për rrugën e Kombit. Qeveria e vitin 2006 kontraktoi kompaninë Bechtel-Enka për ndërtimin e segmentit nga Rrësheni në Kalimash, ku ishte pjesa më e vështire për shkak të urave të mëdha dhe tunelit, ndërsa pjesa tjetër nga Kalimashi në Morinë u nda ndërmjet kompanive shqiptare, të cilat zvarriten punimet ndër vite me kosto për buxhetin e shtetit.

Teksa segmentet e përfunduara të autostradës u dhanë për mirëmbajtje me koncesion në vitin 2019, kundrejt pagesës 5 euro për makinat e vogla, segmenti ndërmjetëm i rrugës prej 25 kilometrash nga Miloti në Rrëshen mbeti në harresë. Ekspertët e sektorit e kritikuan qeverinë shqiptare pasi dhënia e koncesionit duhet të kishte kusht edhe dublimin e aksit në fjalë.

Megjithëse qeveria e ka shpallur prioritet këtë aks, investimet në infrastrukturën rrugore deri në vitin 2030 do të përqendrohen në Korridorin 8 dhe në Autostradën Adriatiko -Joniane.

Rruga e Kombit u bë e disponueshme për automjetet në qershor të vitit 2009. Ajo ka një gjerësi 25-31 metra, gjatësi prej 170 kilometra me shpejtësi 80-110 km/h. Distanca e lëvizjes nga Durrësi në Morinë u shkurtua nga 8 orë në rreth 3 orë.

Autostrada afroi Kosovën me Shqipërinë dhe bregdetin e Adriatikut, duke nxitur turizmin dhe tregtinë.

Fisibliteti i rrugës pritet të rritet me tej nga ndërtimi pjesës tjetër nga Kosovë për në Merdarë, kufiri me Serbinë.

Segmenti i parë i rrugës së Kombit, 59 km i gjatë, Durrës-Milot është pjesë e korridorit veri-jug, ndërsa nga Miloti deri në Morinë ishte hapur korridor i ri prej 111km dhe ishte ndarë në tri segmente për lehtësi financimi dhe për efikasitet ndërtimi.

Pjesa Milot-Rrëshen ishte segment i gjatë 26 km dhe ishte ndarë në tri lote, i cili mbeti me dy korsi edhe sot e kësaj dite. Segmenti i dytë ishte ai Rrëshen-Kalimash, me 60km gjatësi dhe segmenti i tretë kalon nga Kalimashi në Kukës dhe në pikën kufitare të Morinit 50 km autostradë , të cilat qenë ndarë në shtatë lote për t’u dhënë më shumë mundësi kompanive vendase. Nga Rrësheni në Morinë Autostrada ka kushtuar rreth 1 miliardë euro./Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Fatura 2 mld euro e koncesioneve

A rrezikojmë rritje taksash?