MENU
klinika

Qeveria ndryshon vendimin!

Shtohen punimet qe s’kanë nevojë për leje!

10.08.2024 - 15:32

Ndryshojnë procedurat për marrjen e lejeve. Sipas vendimit të qeverisë “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, janë shtuar punimet që mund të bëhen pa marrë leje ndërtimi.

Neni 6 i kësaj rregulloreje përcakton se veç ndërhyrjeve të mirëmbajtjes së zakonshme, të cilat nuk kanë nevojë për tu pajisur me leje ndërtimi, dhe mund të kryhen pa paraqitur deklaratë paraprake punimesh, mund të bëhen dhe një sërë ndërhyrjesh të tjera të jashtme në objekte por edhe punime të brendshme pa pasur nevojë për lejë nga pushteti vendor.

Vendimi i qeverisë i ndan në tre grupime, punime të jashtme, siç janë riparimin dhe zëvendësimin e rifiniturave të jashtme të ndërtesave, me kusht që të ruhen karakteristikat origjinale të tyre, siç janë: rifreskimi i lyerjes, suvatimit dhe veshjes së fasadave, si dhe vendosja e skelave; ndërhyrjet me qëllim ruajtjen apo rritjen e eficiencës energjetike dhe akustike në një strukture ekzistuese, që nuk prekin sistemin konstruktiv të ndërtesës ; riparimi dhe zëvendësimi i dritareve e i dyerve, qepenave dhe vitrinave; zëvendësimi, riparimi i pjesshëm i mbulesës së çatisë; riparimi dhe zëvendësimi i ulluqeve e i oxhakëve; riparimi i ballkoneve; vendosja e hekurave mbrojtës në dritare; vendosja e tendave të diellit dhe rrjetave kundër mushkonjave.

Po ashtu nuk kërkohet leje dhe mund të kryhen punime pa njoftim paraprak edhe për sistemimin e oborreve; sistemimi i shtresave të dheut, por jo betonizimi i tyre; riparimi i rrethimeve ekzistuese; realizimi i rrethimeve me struktura të lehta, pa themele.

Ndërkohë që sa u përket ndërhyrjeve të brendshme , me ndryshimet e reja të vendimit të qeverisë mund të bëhen pa leje punimet riparimi dhe rinovimi i dyshemeve; riparimi dhe restaurimi i suvasë, riparimi dhe rinovimi i dyerve dhe dritareve, hapja dhe mbyllja e dyerve të brendshme; krijimi, eliminimi ose ndryshimi i mureve ndarës (jombajtës) të brendshëm; realizimi i impianteve të reja higjieno-sanitare.

Në vendimin e qeverisë përfshihen edhe një sërë ndryshimesh të tjera, të cila ti japin më shumë kompetenca Këshillit të Rregullimit të Territorit duke i reduktuar kompetencat bashkive për lejet e ndërtimit që zhvillohen me faza. Këto ndryshime ligjore kanë hyrë në fuqi që prej datës 20 Qershor 2024.