MENU
klinika

Divorci pasuron Xhensila Myrtezajn

Tarifat e VIP-ave për verën! Kush kryeson listën e më të paguarve

11.08.2024 - 09:20

Nëse për shumë vera është momenti më i mirë për të pushuar, për këngëtarët tonë, është padyshim momenti më i mirë për të çuar më tej karrierën e tyre. Të shumtë janë ata që sjellin produksione të reja pikërisht në këtë sezon, për të shtuar edhe fitimet e tyre. Në klubet më në zë të vendit, çdo natë ka të ftuar këngëtarë, çfarë e bën atmosferën për turistët edhe më elektrizuese. E për këtë arsye, fitimet e artistëve tanë, përgjatë këtij sezoni edhe më të larta.

Vlerat e tyre përgjatë verës shtohen, duke shtuar kështu paratë. Në treg vlera e artistëve prej shumë kohësh është thuajse e njëjta, duke pasur një klasifikim fiks mes personazheve që paguhen më shumë për koncertet e tyre live. Por këtë verë, duket se edhe ky treg ka pasur ndryshime të mëdha, duke rrëzuar nga froni disa artistë dhe duke rikthyer në listë disa të tjerë.

Një emër që këtë verë ka ‘bërë namin’ është pikërisht Xhensila Myrtezaj. Artistja, e cila ka shumë vite që është pjesë e tregut muzikor, këtë sezon ka arritur kulmin. Këngëtarja ka mbajtur deri në 3 koncerte brenda një ditë, duke qenë ndër emrat më të kërkuar të muzikës. Shkak për këtë janë bërë edhe këngët e reja që ajo ka sjellë në muajt e fundit. Por nuk mund të lëmë pa përmendur edhe divorcin e këngëtares. Pak para verës, ajo dhe Bes Kallaku, i dhanë fund martesës së tyre disa vjeçare.

Tashmë si single, duket se Xhensila është ndër vajzat më të kërkuara në koncerte. Tarifat e saj kanë arritur deri në 5 mijë euro këtë verë. Nëse i hedhim një sy pak viteve më parë, ajo kishte tarifa në 2 apo deri në 3 mijë euro, ndaj rritja për Xhensilën ka qenë e madhe.

Një tjetër emër që këtë verë ka ‘rënë nga froni’ është edhe Luiz Ejlli. Fenomeni i “Big Brother VIP 2”, vitin e shkuar ka qenë absolutisht këngëtari më i kërkuar dhe më i paguar. Tarifat e tij kapnin vlerën e 10 mijë euro, duke mbushur klubet plot. Madje, Luizi ndërmori dhe një tur në Angli, SHBA dhe Kanada ku shumat që fitonte arrinin vlerën e 30 mijë dollarë.

Por këto ditë tashmë duket se i përkasin të shkuarës. Pas një viti që është pjesë aktive e muzikës live, pagesat për Luizin janë përgjysmuar. Madje, këngëtari këtë verë nuk ka shkuar më larg sesa Kosova apo Maqedonia e Veriut për të intepretuar. Duket se fama e “Big Brother” po venitet avash avash për Luizin, ku ndonëse është ende ndër personazhet më të pëlqyer, tarifat për të janë reduktuar në gjysmë.

Ndërkohë që krejt ndryshe ka qenë kjo verë për Ledrin. Artisti, prej vitesh vijon të mbajë fronin si personazhi më i paguar, jo vetëm në verë, por përgjatë gjithë sezonit. Që pas ndarjes së tij nga Sara Hoxha, duket se Ledri si mashkull beqar është edhe më i pëlqyer. Koncertet e Ledrit prej shumë vitesh vijojnë të jenë më të frekuentuarat, duke mbushur klubet. Reperi, vijon të paguhet në 5 mijë euro për një natë live si dhe për koncertet në vende të largëta ky çmim dyfishohet.

Një verë disi më të qetë ka qenë për Elvana Gjatën. Duket se me kalimin e viteve, këngëtarja e famshme është bërë më selektive në koncertet që zgjedh për të mbajtur. Nëse vite më parë, e shihnim kudo, tashmë Elvana pak koncerte mban përgjatë verës. Dikur, tarifat për Elvanën ishin ndër më të lartat, duke mbajtur fort fronin e mbretëreshës së netëve live. Por tashmë gjërat kanë ndryshuar edhe për të. Përgjithësisht, koncertet që Elvana mban, janë jashtë Shqipërie, duke preferuar që të jetë në diasporë. Duke qenë koncerte në distancë të largët, Elvana merr deri në 8 mijë euro, për netët e saj live. Kujtojmë që vite më parë, artistja ishte thuajse kudo edhe në Shqipëri, me çmimet që arrinin deri në 8 mijë euro, për një koncert jo më shumë se 3 orë. Tashmë, karriera e Elvanës është orientuar vetëm në koncertet jashtë kufijve, duke preferuar që mos të këndojë më në Shqipëri.

Një tjetër artist që ka ndryshuar shumë vijën e karrierës së tij është edhe Getoari. Kujtojmë se vite më parë, ai ishte padyshim reperi më i kërkuar. Mjafton të kujtojmë këtu se vetëm brenda një dite, ai mbante deri në 3 koncerte në ditë, me shuma që kapnin vlerën e 8 mijë eurove. Por viti i fundit, ka qenë disi më i ‘vakët’ edhe për të. Më të rralla kanë qenë koncertet e Getoarit, ndonëse produksione të reja muzikore ka patur mjaftueshëm. Edhe tarifat për reperin kanë mbërritur deri në 3 mijë euro për netët e tij live.

E njëjta është situata edhe për Taynën. Artistja u bë shpejt pjesë e tregut muzikor, duke u bërë e preferuara edhe në klube. Tarifat për Taynën vite më parë kapnin vlerën e 8 mijë euro, duke thyer shpejt shumë koleget e saj të tregut. Por dy vitet e fundit, këngëtarja duket disi më e tërhequr, ndonëse tentative për t’u rikthyer fuqishëm ka bërë. Kjo verë ka pasur një agjendë të ngjeshur për Taynën, por fitimet kanë qenë më të vogla se vitet e ‘lavdishme’.

Një verë e ngjeshur edhe për Bardhin, ku veçse është duke pritur për t’u bërë baba për herë të parë, karriera e tij njohu një pikë kthese këtë verë, pasi u largua nga menaxheri i tij. Bardhi ka rritur tarifat këtë sezon, duke qenë edhe më selektiv në koncertet që zgjedhë për të shkuar. Shumicën e kohës, Bardhi zgjedh të performojë në Shqipëri dhe në Kosovë dhe shifrat për këngëtarin kanë shkuar deri në 5 mijë euro.

Nuk mungojnë në këtë listë as binjakët Veshaj. Kujtojmë se qëkur doli nga “Big Brother” Donaldi, kërkesa për ta ishte shumë e lartë. Të dy merrnin deri në 10 mijë euro për të performuar në netët live. Por shpejt fama e tyre kaloi, ndonëse të dy u përpoqën gjatë. E njëjtë ishte situata me Romeon, i cili verën e shkuar pati disa këngë të reja, që shpejt u shndërruan në hit. Por këtë verë, finalisti i “Big Brother” VIP 3, ka pasur vetëm një koncert. Teksa Donaldi ka hequr dorë nga muzika Romeo, në planet e tij ishte bërë gati për këtë verë, por duket se nuk ka pasur kërkesa, duke bërë kështu që të marrë fund edhe karriera e tij muzikore.

Nga ana tjetër është Enca që duket se ka humbur vlerë në tregun e koncerteve. Vite më parë, ajo paguhej deri në 5 mijë euro për një natë live, por duket se mungesa në tregun muzikor me një produksion të ri, e ka ‘varfëruar’ artisten, që kohët e fundit po kalon më shumë kohë në Dubai sesa në Tiranë. Lista e saj e koncerteve këtë verë është më e vakët se herët e tjera, duke mos e parë thuajse asnjëherë në një koncert.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN