MENU
klinika

Garë e ngushtë mes dy kandidatëve

Trump dhe Harris fushatë intensive në “shtetet fushëbetejë”

26.08.2024 - 18:25

Zgjedhjet presidenciale amerikane ka të ngjarë të varen nga rezultati në shtatë shtete të fushëbetejës politike, ku gara mes kandidatëve paraqitet e ngushtë.

Kjo do të thotë se si Nënpresidentja Harris ashtu edhe ish-Presidenti Trump do të shpenzojnë pjesën më të madhe të kohës dhe burimeve të tyre, në këto shtete.

Pas një fundjave larg fushatës, zoti Trump dhe kundërshtarja e tij demokrate, Kamala Harris, do t’i drejtohen këtë javë disa prej shteteve kyçe.

Të hënën zoti Trump do të marrë pjesë në një konferencë në Detroid të anëtarëve të Shoqatës së Gardës Kombëtare amerikane.

Kjo do të jetë vizita e tij e shtatë këtë vit në shtetin e Miçiganit, të cilin ai e fitoi në vitin 2016, gjatë fushatës së tij të suksesshme presidenciale. Por, ai e humbi këtë shtet në vitin 2020, në garën përballë Presidentit Joe Biden.

Kandidati republikan për Nënpresident JD Vance, do të marrë pjesë të martën në një tubim elektoral në qytetin e vogël Big Repids në Miçigan. Zoti Trump do të kthehet në këtë shtet të enjten. Ai pritet të mbajë fjalim në një fabrikë çeliku në Potervill, duke u përqendruar tek ekonomia, inflacioni, çmimet e konsumit dhe prodhimi industrial. Më pas zoti Trump do të shkojë në shtetin fqinj të Viskonsinit, për një takim me votuesit në qytetin e La Krosit.

Të premten, zoti Trump pritet të mbajë një tubim në qytetin e Xhohnstaun në Pensilvani, përpara se të niset për në Uashington për të një takim me një grup konservator të quajtur “Moms for Liberty” (Nënat për liri”.

Duke filluar nga e mërkura, zonja Harris dhe kandidati demokrat për Nënpresident Tim Walz, do të zhvillojnë një udhëtim me autobusë nëpër disa qytete të shtetit jugor të fushëbetejës, Xhorxhias. Turneu në këtë shtet do të kulmojë të enjten në mbrëmje me një miting të Nënpresidentes Kamala Harris në qytetin e Savanës.

Joe Biden e fitoi këtë shtet në 2020 me një diferencë të ngushtë përballë zotit Trump, çka shënoi edhe herën e parë që një kandidat demokrat për president, fitonte këtë shtet që nga viti 1992.

Ky është udhëtimi i shtatë i zonjës Harris në Xhorxhia këtë vit dhe i dyti në qytetin e Savanës.

Përpara Kuvendit Kombëtar Demokrat javën e kaluar, sondazhet kombëtare tregonin se zonja Harris ishte në avantazh ndaj zotit Trump dhe se mund të kishte një rritje pas kuvendit, ndoshta të përkohshme.

Sondazhet tregojnë se ajo është tashmë përpara në nivel kombëtar me 2 ose 3 për qind.

Shtatë shtetet e fushëbetejës ka të ngjarë të dominojnë axhendat e kandidatëve presidencialë dhe atyre për nënpresident, deri në ditën e zgjedhjeve më 5 nëntor. Në disa shtete votimet e hershme fillojnë në dy javët e fundit të shtatorit.

Shtetet e fushëbetejës, luajnë një rol të madh në përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve, pasi presidenti nuk zgjidhet me votë popullore, por falë votave të siguruara në Kolegjin Zgjedhor, që ka gjithësej 538 elektorë.

Votat e Kolegjit Zgjedhor për shtete bazohen tek numri i popullsinë, ndaj dhe shtetet më të populluara kanë ndikim më të madh tek zgjedhjet.

Në shtetet e fushëbetejës, sondazhet tregojnë se rezultati mes dy kandidatëve është i ngushtë, ndërsa në 43 shtetet e tjera, si zoti Trump ashtu edhe zonja Harris kanë një avantazh të qartë, përjashtuar rastet nëse do të ndodhte diçka e paparashikuar.

Sipas sondazheve aktuale të gazetës ‘Washington Post’ zonja Harris ka një avantazh të ngushtë në Viskonsin, Miçigan dhe Pensilvani, ndërsa zoti Trump ka një avantazh të lehtë në katër shtetet e tjera të fushëbetejës.

Zoti Trump e humbi votën popullore në nivel kombëtar si në vitin 2016 ashtu edhe në 2020, por fitoi votat e Kolegjit Zgjedhor në vitin 2016, kur dhe u zgjodh president, si dhe e humbi atë në 2020, përballë zoti Biden.

Të dielën zyrtarët e fushatës së zonjës Harris njoftuan se kanë mbledhur 540 milionë dollarë në sprintin 10-javor deri në ditën e zgjedhjeve, shumica e të cilave do të shpenzohet për reklama televizive në shtetet e fushëbetejës. Zyrtarët thanë se 82 milionë dollarë nga totali, ishin mbledhur gjatë katër ditëve të kuvendit të partisë që u mbajt javën e kaluar.

Zoti Trump ka mbledhur gjithashtu shuma të konsiderueshme, edhe pse më pak se zonja Harris. Zyrtarë të fushatës së tij njoftuan se ishin siguruar 327 milionë dollarë në fillim të gushtit./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pse 10 shtatori mund të ndryshojë gjithçka

“Dorëzohet” Trump, pranon të përballet me Harris!