MENU
klinika

"Konsultime me aleatët"

“Urat rrinë të hapura”, Kurti: Vendimi nuk është kundër askujt

14.08.2024 - 13:18

Hapja e urës së Ibrit nuk është kundër askujt, e aq më tepër kundër partnerëve tanë ndërkombëtarë. Këtë u kujdes ta theksonte kryeministri Albin Kurti, pasi ambasadori i SHBA në Prishtinë, Jeffri Hovenier tha se hapja e urës do të rrezikonte sigurinë e ushtarëve të NATO-s. Shefi i ekzekutivit kosovar theksoi se qeveria e tij do të vazhdonte konsultimet dhe koordinimet me partnerët e Kosovës në lidhje me rihapjen e urës mbi lumin Ibër në veri.

“I kemi mirëpritur raportet preliminare për vlerësimin e qëndrueshmërisë së urës të cilat i kemi ndarë dje edhe me komandantin e KFOR dhe ekipin e tij, në frymën e konsultimit dhe koordinimit të vazhdueshëm që kemi. Qeveria e Kosovës dhe unë, besojmë që liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nga njëra anë dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura dhe të duhura për vendin shtetin, qytetarët, për shoqërinë e komunitetin. Hapja e urës nuk është kundër askujt aq më tepër ndaj partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, u shpreh Kurti.

Rihapja e urës për qarkullim edhe të automjeteve, është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë.

Ura është blinduar nga vetura të KFOR dhe Eulex, ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen në afërsi të saj.

Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm synimin e Qeverisë së Kurti, me BE-në që kërkon ta çojë çështjen në tryezën e dialogut. Kjo ishte temë diskutimi mes Kurtit dhe komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutash, në orët e vona të së martës. Kurti tha se ja kishte bërë të qartë atij, se e konsiderojnë hapjen e urës një të drejtë të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN