26 vite më parë selia e qeverisë shqiptare u pushtua dhe për disa orë qeveria ishte jashtë funksionit. Më 14 shtator të vitit 1998 në bulevard kalonin tanke që ishin marrë nga protestues dhe mbështetës të Partisë Demokratike, dhe qëllohej me armë kundër ndërtesës së kryeministrisë.
Mediat botërore e ndoqën lajmin dhe e raportuan atë si një grusht shteti të mirëfilltë. Në fakt ngjarja kishte të gjitha elementet e një grushti shteti. Njëherësh me kryeministrinë, persona të armatosur morën nën kontroll edhe Radio Televizionin Shqiptar.
Gjithçka erdhi pas zemërimit që shpërtheu nga vrasja e ish deputetit, Azem Hajdari më 12 shtator të vitit 1998.
Tirana kaloi orë të vështira për gjatë gjithë datës 14 dhe nuk dihej se si do shkonin ngjarjet nëse nuk do ishte ndërhyrja e diplomatëve amerikanë. Të paktën kështu u shpjegua në atë kohë tërheqja e njerëzve të armatosur, dorëzimi i tankeve që ju rrëmbyen gardës së republikës.
Kjo tërheqje i dha zemër një pjese të Policisë së Shtetit, e cila u riorganizua në periferi të qytetit dhe gjatë pasdites e gjatë darkës nisi të marrë nën kontroll institucionet shtetërore.
Pas 14 shtatorit nisi një kalvar gjyqesh të cilat u zvarritën dhe nuk treguan se kush ishin organizatorët dhe ekzekutoret e këtij grushti shteti.
Kronologjia e ngjarjeve?!
14 shtator ’98, ora 10.00. Zyra e shtypit e kryeministrit njofton se të armatosurit që duan të destabilizojnë rendin, do të goditen.
14 shtator ’98, ora 10.30. Pasi kanë dëgjuar mesazhin e Sali Berishën, rreth 2 mijë militantë nisen për një marshim proteste përpara godinës së kryeministrisë. Tek Ministria e Rendit dështon përpjekja për të sulmuar këtë godinë.
Megjithatë shkatërrohen të gjitha makinat e parkuara aty dhe në drejtim të xhamave janë hedhur sende të forta.
14 shtator ’98, ora 11.00. Pas ceremonisë mortore turma nuk niset drejt Varrezave të Sharrës por drejt godinës së kryeministrisë. Berisha kthehet në seli.
14 shtator ’98, ora 11.00. Qeveria nis mbledhjen e jashtëzakonshme për të diskutuar rrethanat e vrasjes dhe masat e marra pas ngjarjes, por në këtë moment sulmohet godina. Shkatërrohet dhe digjet zyrat e katit të parë.
Tetë makina prapa godinës digjen. Mes tyre makina e Arben Imamit dhe makina me targë TR5191 A. Dhjetëra të armatosur futen brenda. Nano dhe anëtarë të tjerë të qeverisë largohet nga dera e pasme.
14 shtator ’98, ora 11.45. Një grup personash e çojnë arkivolin për nga dera e kryeministrisë. Godina braktiset. Sulmohet me armë e bomba.
14 shtator ’98, ora 12.00. Kur kortezhi po i afrohej Kryeministrisë, u sulmua reparti 324 pranë Ministrisë së Rendit. Aty u grabitën 100 automatikë, mitraloza dhe granata.
14 shtator ’98, ora 12.00. Nga Garda dalin tanket por për pak minuta merren nga të armatosurit. Dikush në mes të turmës gënjen se Nano dha dorëheqjen. Turma ekzaltohet. Në krye të saj ishin Pjetër Arbnori, Ekrem Spahia, Leonard Demi dhe Jemin Gjana.
14 shtator ’98, ora 13.00. Shkatërrohen plotësisht zyrat e kryeministrisë. Grupe militantësh të armatosur të PD hyjnë në Kryeministri, shkatërrojnë dhe bastisin, ndërsa edhe urinojnë në zyrën e kryeministrit Fatos Nano.
14 shtator ’98, ora 13.00. Sulmohet dhe plaçkitet Kuvendi. Një granatë hidhet në zyrën e kryeparlamentarit Skënder Gjinushi.
14 shtator ’98, ora 13.30. Bastisen Gjykata Kushtetuese, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Kulturës.
14 shtator ’98, ora 14.00. Pushtohet RTVSH-ja. Rreth 200 të armatosur rrethojnë godinën, ndërsa kryetari i PLL-së Ekrem Spahia del në ekran duke u intervistuar nga Alfons Zeneli dhe regjizori Artur Bejzade. Merret peng drejtori Edi Mazi dhe drejtori i Radios Martin Leka.
14 shtator ’98, ora 14.10. Në Tiranë nisin vjedhjet dhe djegiet e dyqaneve në qendër. Një bastisja e paprecedentë dhe masive nisi nëpër bizneset në Tiranë.
14 shtator ’98, ora 15.00. Dalin në rrugë policët e parë. Shefi i komisariatit numër 3 Neritan Nallbati, Arben Dashi, Ilir Bellovoda nisin të çlirojnë një pjesë të ministrive. RENEA merr tanket.
14 shtator ’98, ora 16.00. Policia nis të dalë masivisht nëpër Tiranë. Policia bashkë forcat speciale mori nën ruajtje bizneset dhe rivendosin nën kontroll një pjesë të institucioneve të pushtuara.
14 shtator ’98, pasdite. Ambasadorja amerikane Marisa Lino, e shpallur armike nga Berisha, del me deklaratë të fortë, ku thekson se vdekja e Hajdarit nuk duhet të shfrytëzohet politikisht dhe se shqiptarët duhet të ruajnë qetësinë.
14 shtator ’98, pasdite. Departamenti Amerikan i Shtetit dënon grushtin e shtetit dhe deklaron se nuk njeh asnjë pushtet që del nga dhuna.
14 shtator ’98, pasdite. Ambasadorët e SHBA-BE në Tiranë mesazh Nanos që të mos jepte dorëheqjen, ndërsa e garantuan se nuk do të njihnin asnjë pushtet të dalë nga dhuna.
14 shtator ’98, pasdite.Mblidhet qeveria italiane. Kryeministri Romano Prodi: “Të ndalet dhuna në Shqipëri”.
14 shtator ’98, ora 19.00. Ministri i Brendshëm Perikli Teta jep ultimatumin për dorëzimin e TVSH-së.
14 shtator ’98, ora 19.30. Dorëzohen grupet e armatosura të PD-së. Ministri i Brendshëm Perikli Teta deklaron: Dështoi tentativa për grusht shteti.
14 shtator ’98, ora 20.00. Atentat ndaj Perikli Tetës në afërsi të Hotel Dajtit, por shpëton për mrekulli. Rojet e tij vrasin njeriun që qëlloi me armë ndaj ministrit.