MENU
klinika

Porositë/ Nga kërkesa për qeveri teknike, tek…

Berisha mbledh 12 drejtuesit politikë të PD

09.09.2024 - 10:19

Pak ditë pasi u caktuan në mbledhjen e Kryesisë, kreu i PD, Sali Berisha ka mbledhur dje në një takim 12 drejtuesit politikë të Partisë Demokratike në selinë blu. Berisha ndodhet në “arrest shtëpie” për aferën “Partizani” dhe mbledhjes iu bashku online, teksa dha edhe disa porosi për vartësit e tij. Kështu kërkesa për qeveri teknike, ndezja e “motorëve të fushatës” për zgjedhjet e 2025 dhe ultimatumi për të zbritur në sheshe e shkaktuar kaos, ishin disa nga udhëzimet që ish-kryeministri ndau për drejtuesit politikë të PD. Më poshtë po sjellim për lexuesit disa nga porositë e Berishës për vartësit e tij të bëra gjatë mbledhjes.

Ja një pjesë nga fjala e Berishës

Protestat

Theksoj që në fillim se misioni që keni marrë përsipër është më i rëndësishmi i jetës suaj, sepse suksesi i këtij misioni është vendimtar për rikthimin e Shqipërisë në normalitet, për rivendosjen e demokracisë në Shqipëri, për rivendosjen e shtetit ligjor, respektimin e plotë të lirive dhe të të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Por dhe rikthimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën e prosperitetit, në rrugën e një mirëqenie të rritur, dhe po kështu në rrugën e vokacionit perëndimor të kombit, rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE. Ky mision, them dhe njëherë, më i rëndësishmi që keni përmbushur në të gjithë karrierën tuaj për ju dhe të gjithë, kalon kësaj here në një rrugë të vështirë, në një rrugë komplekse, të veçantë. Unë e di e di që ju keni drejtuar fushata elektorale, personale, por edhe kolektive, keni përmbushur detyra të rëndësishme, por kësaj here detyrë e të gjitha detyrave është inicimi sa më parë i një revolte të përgjithshme popullore, me qëllimin më kryesor për qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pra, ky mision nuk është kësaj here si misionet e tjera. Ky mision kërkon që ne t’i dalim Zot dhe të garantojmë qytetarët shqiptarë se vota e tyre nuk do mund të ekzekutohet, nuk do mund të varroset pa hyrë në kuti, dhe se ajo nuk do të shndërrohet në krim, dhe krimi në votë. Me forcën e fuqisë së PD, ne nuk do lejojmë një gjë të tillë, por detyra juaj është detyrë shumë e veçantë. Si lider të PD në qarqet ku ju jeni ngarkuar kërkon që ju të jeni organizatorë të shkëlqyer. Kërkon që ju me ekipin lokal të riorganizoni PD. Anëtarësia e saj ka nevojë jetike, vendimtare për një organizim solid. Shpesh dhe rëndomë shtrohet çështja: njerëzit janë të gatshëm, njerëzit nuk janë të gatshëm. E para, ju vetë duhet të jeni të gatshëm, dhe për të qenë ju të gatshëm, duhet të organizoni demokratët. Ata aty janë, ata presin t’i organizojnë. Përveç organizimit, detyra juaj është t’i frymëzoni. Në qoftë se organizojmë, në qoftë se ne i frymëzojmë, unë ju garantoj ju se forcë në botë që të pengojë realizimin e qëllimeve tona objektive nuk ka dhe nuk mund të ketë. Ka patur dhe ka një debat, po protesta dhe fushata? Jo, ne i japim përparësi absolute protestës. Ne nuk pranojmë të ecim symbylltas drejt grabitjes dhe drejt funeralit të votës së lirë pa u hedhur në kuti.

Qeveria teknike

Miqtë e mi, PS sot nuk ekziston. Rilindja është shndërruar në një lub spiunësh, hajdutësh, kriminelësh. Ai që dikur është quajtur solidariteti socialist, sot është spiunim pa pare. Dhe spiunojnë, sepse mendojnë se duke spiunuar këtu dhe aty, mbulojnë krimet e tyre, mbulojnë gjëmat e tyre, mbulojnë bëmat e tyre. Kjo është pasaporta morale e tyre. I shoi, edhe socialistët e fundit e fundit i përzuri, dhe tani ka vetëm partinë e tij, një parti ku të gjithë janë kundër të gjithëve, ku të gjithë kanë frikë nga njëri- tjetri, ku të gjithë spiunojnë njëri-tjetrin, dhe ky i kontrollon ata me Dumanin që i regjistron gjithë botën dhe i jep të dhënat. Pra, miq kjo është gjendja e vërtetë. Sot shqiptarët tanë panë se me Edi Ramën do të shkohet drejt rrënimit. Kanë ikur 1 mln, do ikë dhe 1 mln tjetër, dhe për të është realizim qëllimi, sepse votojnë kundër tij. PD do e përmbushë këtë mision. Unë garantoj qytetarët shqiptarë se kalimi në qeveri teknike është kushti për zgjedhje të barabarta, për rotacion dhe për zbatimin e një programi që Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë njohur kurrë më të mirë.